Geralb Smajli është largimi i rradhës nga Vllaznia. Lajmi është bërë i ditur nga vetë burime të “Shkodra Sport” pranë futbollistit shkodran. Pas tre sezonesh me fanellën kuqeblu, mbrojtësi është ndarë me klubin, teksa nuk është gjetur një akord për rinovimin e kontratës. Palët janë ndarë pas një bisede që kanë pasur në ditët e fundit, me mbrojtësin shkodran që pritet të marrë edhe leje-kalimin e tij në klubin e Vllaznisë.

Smajli, që luan si mbrojtës i djathtë, është një nga ata që mbajtën peshën kryesore në ekip sezonin e shkuar, por tashmë duket se ka ardhur momenti i ndarjes. Vetë futbollisti është shprehur se do të donte ta vazhdonte karrierën te Vllaznia, por duket se klubi dhe mbrojtësi shkodran nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Në fakt, Smajli, që është prodhim i Akademisë Vllaznia, ka qenë një prej titullarëve stabël te kuqeblutë, duke luajtur në kampionatin e fundit në 30-ndeshje, me plot 2475-minuta në fushë, por në sezonin e ri, ai do të vijojë një aventurë të re. Kështu, 22-vjeçari shkodran është largimi i pestë zyrtar nga kuqeblutë pas përfundimit të sezonit, teksa më parë të njëjtën gjë kanë bërë edhe Bruno Gomes, Alfred Ajdareviç, Esin Hakaj dhe portieri Jurgen Mehidri.

Tashmë, mbetet për t’u parë se ku pritet të jetë e ardhmja e Smajlit, e cila do të zbulohet në ditët në vijim. Aktualisht, 22-vjeçari është me pushime dhe për të mësohet se ka interes nga ekipe të Superiores, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Smajli duket se pëlqehet edhe nga skuadra të huaja, por emrat e tyre nuk bëhen të ditura për momentin.
Maringlen ZHIVANI