Nga Maringlen ZHIVANI
Futbollisti shkodran Geralb Smajli do të jetë pjesë e futbollit çek për pjesën në vazhdim të karrierës së tij. 22-vjeçari do të lërë Ballkanin në Kosovë brenda pak javësh për t’u bashkuar me skuadrën e Mlada Boleslav, ekip që militon në ligën më të lartë të futbollit çek dhe momentalisht ndodhet në vendin e shtatë të renditjes me 34-pikë.
Ky klub ka blerë kartonin e Smajlit për 350-mijë euro, teksa edhe mbrojtësi shkodran nga ana e tij do të ketë përfitime financiare të mëdha me kontratën që do të zgjasë tre vite. Një lëvizje e rëndësishme kjo për Smajlin, ku pas eksperiencave me Vllazninë dhe Ballkanin në Kosovë, ai transferohet në Çeki.
Në fakt, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, skuadra çeke ka shfaqur interes prej kohësh për 22-vjeçarin që ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U-21, madje kishte disa kohë që e ndiqte Smajlin. Drejtuesve çek u kanë pëlqyer cilësitë e Smajlit dhe kanë vendosur të firmosin me të, teksa tashmë Mlada Boleslav do t’i paguajë Ballkanit shumën përkatëse prej 350-mijë eurosh, shifër të cilën të dy klubet kanë rënë dakord për shitjen e mbrojtësit shkodran.
Poashtu, “Shkodra Sport” ka mësuar se firma do të vijë në javët në vijim, teksa duhet pritur edhe pak ditë që ky transferim të zyrtarizohet. Ndërkohë, “Shkodra Sport” ka mësuar se nga kjo marrëveshje në mes dy klubeve, Mlada Boleslav dhe Ballkanit, pritet të përfitojë edhe Vllaznia një pjesë shume, duke qenë se ajo ka mbajtur 15% të vlerës së kartonit të futbollistit.
Në këtë mënyrë, për Geralb Smajlin do të nisë kështu një aventurë e re shumë e bukur me një nga skuadrat që së fundmi po bën paraqitje shumë të mira në kampionatin çek, aty ku rivaliteti duhet thënë se është mjaft i madh.(www.shkodrasport.com)