Nga Endri ÇINARI

Këto ditë kanë qenë shumë intensive tek Vllaznia përsa i përket merkatos. Ku është afruar edhe Kahrimanovic e janë rinovuar kontratat me Juric dhe Stojanovic.

Ditën e sotme ka pasur një takim për rinovimin edhe për Geralb Smajlin. Në prononcim për “Shkodra Sport” mbrojtësi tregon se marrëveshja nuk është gjetur ende. Ku gjithashtu konfirmon edhe ofertat nga jashtë vendit.

Smajli tha: “Po është e vërtetë se sot kam pasur takim me drejtuesit e Vllaznisë për rinovimin e kontratës. Mund të them se në këtë takim të parë nuk është arritur një marrëveshje. Për momentin gjithçka është e “ngrirë” dhe nuk ka avancime. Megjithatë besoj se do kemi edhe një diskutim tjetër përsa i përket kushteve të rinovimit.

Unë nuk ia mbyll derën asnjëherë Vllaznisë sepse është ekipi im i zemrës. Prandaj them se do ketë edhe njëherë një diskutim për rinovimin sepse momentalisht dakordësia totale mungon.

Ofertat nga jashtë? Mund të konfrimoj se janë reale dhe patjetër që unë do i shqyrtoj . Se cila nga to do jetë më e favorshmja për mua. Prandaj nuk mund të pritet në përjetësi dhe mendoj se në ditët e ardhshme do merret vesh edhe e ardhmja ime”./www.shkodrasport.com/