Prej disa ditësh, Valbona ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Ekipi ka vijuar stërvitjet me njërin prej ndihmësve, pasi drejtuesit janë akoma në kërkim të një trajneri që t’i besojnë skuadrën dhe duket se tashmë e kanë gjetur atë.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë drejtuesve tropojanë, Rrahman Hallaçi do të jetë trajneri i ri i Valbonës. Ky lajm konfirmohet edhe nga vetë ai në një komunikim me gazetën tonë.

“Kam patur bisedime dhe besoj se me shumë mundësi do të jem trajner i Valbonës për sezonin e ri, ku shumë shpejt do të nisim punën”,-tha Hallaçi për “Shkodra Sport”.

Aktualisht, ish-trajneri i Kukësit është pa ekip dhe shihet si i duhuri për Valbonën. Hallaçi ka eksperiencën e duhur për të udhëhequr tropojanët, pasi në të kaluarën ka drejtuar Kukësin në dy periudha të ndryshme, ndërsa sezonin e fundit e mbylli me Ilirinë.
Maringlen ZHIVANI