Pasditen e djeshme në ceremoninë e shpalljes së sportistëve më të mirë të Vllaznisë dhe të nderimit të disa figurave sportive të Shkodrës, ka qenë i ftuar edhe ish- futbollisti i kësaj skuadre por edhe i kombëtares shqiptare- Hamdi Salihi.

Vetë ai, në një prononcim për “Shkodra Sport” është parë i emocionuar kur ka folur për figurat sportive të këtij qyteti dhe po ashtu ka uruar që Vllaznia të rikthehet shpejt aty ku i takon të jetë. Ja intervista e plotë e tij:

-Salihi, jeni i pranishëm në një ceremoni ku u nderuan figurat aktuale por edhe ato që kanë shkruar historinë e Vllaznisë. Kishit nostalgji për emrin e Vllaznisë?

-Të them të vërtetën ishte kënaqësi të isha këtu në këtë ambjent ku u nderuan edhe shumë figura dhe jo vetëm të futbollit por të të gjitha sporteve dhe kjo të ban me u ndi mirë që je shkodran në rradhë të parë dhe që je qytetar i këtij qyteti me kaq shumë njerëz të talentuar dhe me kaq shumë figura të mëdha.Të jesh në një ambjent me figura të sportit, të jesh në një ambjent të klubit Vllaznia, për mua ka me ken gjithmonë kënaqësi sepse kjo skuadër është në zemren teme.

-Edhe për ju besoj se ka qenë kënaqësi që ke veshur fanellën e kësaj skuadre?
-Kjo as nuk diskutohet. Vllaznia ishte shkolla dhe vendi ku mora mësimet e para të futbollit. Ishte shkolla më e mirë e mundshme që mund të kisha bërë ndonjëherë, ishin ato vite që jam kam kaluar me Vllazninë, ato vite që jam stërvit dhe kam luajtur me këtë skuadër.

-Keni luajtur në fillimet tuaja me emra të tillë si Sinani, Martini etj, të cilat besoj kanë qenë një ndihmëse për hapat tuaj të parë?
-Prandaj e thashë se ka qenë shkolla më e mirë e mundshme që një sportist mund të kishte ba për me luajt me Martinin, me Sinanin, Licin, Zmijanin, Beqirin, Telin, Belishën, shumë lojtarë nga të cilët mundesh me mësu jo vetëm nga ana sportive por edhe nga ana njerëzore.

-Por ndërkohë sot kemi një situatë jokomode për Vllazninë. Ju vjen keq?
-Vërtetë është një situatë e vështirë dhe këtë e ka ndjerë gjithë qyteti dhe aq më shumë ata që janë pjesë e sportit. Por, përderisa bahet fjalë për sport, ky është sporti, ka edhe ai humbjet dhe fitoret e veta. Vllaznia këtë vit ka humbur dhe gjaja e vetme që i ka mbet është të ringrihet sa ma parë dhe me shku aty ku i takon.

-Pas pak kohësh, është 100 vjetori i Klubit Vllaznia. Cili do të ishte urimi i Hamdi Salihit për shekull të Vllaznisë?
Janë 100 vite plot sukses, plot krenari për çdo shkodran por do të thosha edhe për çdo shqiptar sepse Vllaznia është krenaria edhe e Shqipërisë. Unë uroj që edhe në vitet e ardhshme vetëm të vazhdojë kjo traditë e deritanishme dhe pse jo edhe të përmirësohet.
© shkodrasport.com