Për të është eksperienca e parë në futbollin shqiptar dhe po mundohet të japë më të mirën për Vllazninë. Sulmuesi boshnjak Haris Dilaver është shndërruar në protagonist për këtë skuadër me lojën dhe golat e tij, duke e ndihmuar atë të kryesojë me meritë renditjen e kampionatit.
Dilaver ka pranuar pasditen e sotme të japë një intervistë ekskluzive për “Shkodra Sport” teksa ka folur jo vetëm për ecurinë e skuadrës, por edhe për detaje të tjera që kanë të bëjnë me mikëpritjen në Shkodër, mungesën e tifozëve në stadium e detaje të tjera.
Por për të mësuar më shumë në lidhje me përshtypjet e sulmuesit 30 vjeçar për këto katër muaj që ai ndodhet këtu, mund të ndiqni më poshtë intervistën me të teksa Dilaver flet edhe për ndeshjen e nesërme me Tiranën, për të cilën premton se Vllaznia do të japë më të mirën në këtë 90 minutësh për të marrë rezultatin e duhur.
-Së pari, Haris faleminderit që pranove të intervistohesh për gazetën tonë “Shkodra Sport”…
Faleminderit. Unë jam gjithmonë i gatshëm.
– Urime për fitoren me Skënderbeun dhe ku Vllaznia arriti të shpallej kampione e dimrit…
Faleminderit. Ne u stërvitëm vërtet shumë para fillimit të sezonit dhe falënderoj Zotin që gjithçka po shkon mirë. Ne po rritemi nga ndeshja në ndeshje. Po luajmë shumë mirë. Mendoj se kemi treguar më së shumti deri më tani dhe meritojmë të jemi në vendin e parë.
– Si ndiheni në Shkodër?
Para se të vija, dëgjova gjithçka për historinë e klubit dhe tifozët e Vllaznisë. Nuk është e lehtë të vish në një vend tjetër dhe të adaptohesh me futbollit atje, por mund të them që ata më pranuan në ekip që nga dita e parë dhe është shumë më lehtë. Mund të them se jam shumë mirë në Shkodër dhe jam i lumtur për këtë.
Unë gjithashtu dua të përmend që më vjen keq që tifozët nuk mund të marrin pjesë në ndeshje. Unë e di që ata kanë qenë duke pritur për ndeshje si kjo për një kohë të gjatë.
– Cila është pika më e fortë e kësaj Vllaznie që po i surprizon të gjithë këtë sezon?
Ne kemi një trajner shumë të mirë i cili transferon përvojën e tij te ne lojtarët. Ne kemi lojtarë të mirë e përveç kësaj ne japim maksimumin çdo ndeshje dhe loja e ekipit tonë është pasuria më e fortë e këtij sezoni.
– Keni shënuar 4 gola në kampionat dhe disa gola të tjerë në Kupë. A ndiheni i kënaqur me atë që keni arritur deri më tani?
Po, kam shënuar 4 gola në kupë dhe 4 gola në kampionat, që janë gjithsej 8 gola. Unë jam i kënaqur me lojërat e mia, por gjëja më e rëndësishme është që ne jemi në vend të parë. Në tabelë, gjithmonë mund të jetë më mirë dhe unë do të jap maksimumin tim si më parë dhe shpresoj nëse Zoti e ndihmon klubin me qëllimet dhe objektivat e përcaktuara.
– Cila është marrëdhënia juaj me Thomas Brdariç dhe shokët e tjerë të skuadrës? Me cilin prej tyre keni më tepër afrimitet?
Unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer me Thomas dhe natyrisht me ndihmësit e tij. Ekziston një atmosferë vërtet e shkëlqyer në ekip dhe unë jam shumë i afrueshëm me të gjithë djemtë. Nuk do të veçoja askënd në veçanti.
-Nesër Vllaznia do të luajë ndeshjen klasike me Tiranën në transfertë që përkon me fundin e vitit 2020. A mendoni se ajo do ta mbyllë me fitore këtë vit?
Na pret një ndeshje e vështirë. Tirana është një ekip shumë i mirë dhe ne i respektojmë ato në maksimum, por aktualisht jemi të parët.
Do të vazhdojmë. Ne do të japim maksimumin si ne çdo ndeshje tjeter dhe shpresoj se do të arrijmë një rezultat pozitiv nëse na jepet mundësia për fitore me siguri do ta provojmë.
– Dëshira e madhe e tifozëve të Vllaznisë është që ekipi i tyre të fitojë klasiken me Tiranën në mënyrë që këtë vit ta mbyllin në mënyrë fantastike. Premtoni gol ndaj kampionëve në fuqi?
Unë vetëm mund të premtoj se ne do të japim maksimumin dhe shpresoj që me pak fat të mund t’i bëjmë tifozët tanë të lumtur. Nuk ka rëndësi se kush do të shënojë. Natyrisht do të isha i lumtur nëse do isha unë por gjëja më e rëndësishme është që ekipi të arrijë një rezultat të mirë. Përshëndetje për të gjithë tifozët!
– Në çfarë pozicioni e shihni Vllazninë në fund të kampionatit, duke iu referuar ecurisë së deritanishme?
Ne kemi luajtur me të gjitha ekipet dhe kemi treguar se po luajmë ndoshta futbollin më të mirë për momentin, shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund. Ne po bëjmë shumë mirë. Mendimi im është që ne si objektiv mund të kemi pjesmarrjen në Kupat e Europës. Nëse ajo arrihet ne me siguri do të tentojmë më shumë se kaq.
– Ju shënuat golin vendimtar në ndeshjen kundër Partizanit ku i dhuruat Vllaznisë 3 pikë të arta dhe ku e gjithë skuadra u shpërblye me një darkë surprizë në restorantin me emrin interesant Kulla e Inglizit. Si i kujtoni ato momente pas asaj fitoreje dhe pas shënimit të golit ?
Ky është treguesi më i mirë se sa shumë njerëz e duan klubin dhe do të doja t’ju falënderoja për këtë. Shpresoj që në të ardhmen të mbështesin Vllazninë në mënyra të ngjashme. Sa i përket golit, është një ndjenjë shumë e bukur të shënosh një gol kaq të rëndësishëm dhe të ndihmoj ekipin tim për të fituar, por pa shokët e mi të skuadrës nuk do të ishte e mundur.
Kur dëgjohen tifozë nga ndërtesat në Shkodër duke brohoritur, është e mahnitshme.
– Më parë keni luajtur me Çelikun e Zenicës dhe tani luani me Vllazninë. Si lojtar me eksperiencë, a mendoni se futbolli shqiptar është më cilësor se futbolli në Bosnje?
Kam shumë pak kohë që jam këtu për të dhënë një mendim objektiv për të krahasuar cilësinë e dy ligave, por mund të them deri më tani se kam parë shumë lojtarë të mirë në Shqipëri që sigurisht mund të luajnë në liga shumë më të forta.
– Faleminderit për intervistën dhe ju uroj fitore me Tiranën nesër. Edhe një gjë, a ju pëlqen Shkodra si qytet?
Po, më pëlqen shumë Shkodra dhe mund të jetoja atje pa asnjë problem. Faleminderit dhe shpresoj që të arrijmë një rezultat të mirë në Tiranë. Përshëndetje për të gjithë!
Intervistoi: Andi GJURGJEJ