Nga Maringlen ZHIVANI

Mungesa e hapësirës së aktivizimit te Vllaznia ka bërë që mbrojtësi Gabriel Rroku ta vijojë karrierën e tij në Kategorinë e Parë, pikërisht tek ekipi i Burrelit.

Nga sa ka mësuar “Shkodra Sport”, ai prej pak ditësh ka nisur stërvitjen me këtë ekip dhe madje ka luajtur edhe në miqësoren ndaj Laçit. 19-vjeçari në sezonet e kaluara ka spikatur me ekipet e Akademisë Vllaznia dhe kjo bëri që drejtuesit e klubit t’i ofrojnë një kontratë për sezonin e ri.

Megjithatë, në gjysmën e parë të sezonit, atij i mungoi hapësira e aktivizimit. Kjo gjë natyrisht që nuk e ka kënaqur Rrokun dhe si rrjedhojë, ai është larguar nga Vllaznia dhe do ta vijojë karrierën e tij tek Burreli, skuadër që ka mirëpritur shërbimet e këtij futbollisti për mbrojtjen e tyre.

Futbollisti 19-vjeçar gjatë gjysmës së parë të sezonit, ka luajtur me ekipin U-21 të Vllaznisë, si edhe ka qenë shpesh herë në stërvitje me ekipin e parë të kuqebluve. Në adresë të Rrokut ka patur oferta nga ekipe të ndryshme të Kategorisë së Parë. Megjithatë, Burreli duket se ka qenë zgjidhja më e mirë e mundshme që Rroku ka menduar.

Qendërmbrojtësi do të mundohet që të japë më të mirën e tij tek Burreli, në mënyrë që kjo skuadër të arrijë objektivin që ka në këtë sezon të Kategorisë së Parë. Padyshim që, me cilësitë të cilat zotëron, Gabriel Rroku do të tregojë më të mirën e tij, për të kënaqur drejtuesit, trajnerin Ditmar Bicaj dhe tifozët e Burrelit./www.shkodrasport.com/