Flamurtari është në kërkim të një trajneri të ri dhe drejtuesit e kësaj skuadre po shqyrtojnë të gjitha kandidaturat e mundshme. Për momentin, kandidatët për trajner sipas mediave të shkruara, kanë qenë emra me përvojë si Mladen Milinkoviç, Migen Memelli, Veljko Dovedan, Gugash Magani dhe Diego Longo.

Megjithatë, drejtuesit e Flamurtarin po shohin edhe opsione të tjera, kryesisht tek trajnerët e huaj që më parë kanë punuar në kampionatin shqiptar. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, në një intervistë të pak ditëve më parë për mediat e shkruara.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë klubit vlonjat, kandidati kryesor për pankinën e Flamurtarit është ish-trajneri i Vllaznisë, Goçe Sedloski. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga burime pranë administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, teksa ai duket se ka vlerësuar karrierën e suksesshme të Sedloskit me skuadrat maqedonase.

Në fakt, edhe te Vllaznia ai deri diku bëri mirë, sepse e mori skuadrën në pozita të vështira dhe në fund, ia doli të siguronte objektivin, një vend për në Kupat e Europës. Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, drejtuesit e Vllaznisë dhe Sedloski nuk ranë dakord për vazhdimin e kontratës. Tashmë, gjasat janë të mëdha që trajneri 50-vjeçar në ditët në vijim të emërohet në krye të Flamurtarit, gjë e cila mbetet për t’u zyrtarizuar në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI