U diskutua shumë që mund të ishte pjesë e Vllaznisë që në verën e shkuar, madje disa zëra e panë afër shkodranëve edhe në merkaton e janarit. Fjala është për Kristijan Vulaj, i cili njëkohësisht është edhe futbollist i kombëtares së Malit të Zi.
Sulmuesi i krahut që aktivizohet tek Deçiç i Tuzit po kalon një formë shumë të mirë këtë edicion. Duke vijuar kështu ecurinë pozitive që nga edicioni i kaluar. 23-vjeçari deri më tani në kampionatin e Malit të Zi ka shënuar 10 gola.
Duke qenë kështu një nga shënuesit më të mirë dhe pretendent për Këpucën e Artë. Ku së bashku me Milickovic dhe Raickovic po luftojnë për trofeun individual. Por forma e mirë e Vulajt duket se nuk ka kaluar pa u vënë re nga disa skuadra jashtë Ballkanit.
Në mënyrë ekskluzive, “Shkodra Sport” mëson se një ekip nga Azerbajxhani ka shfaqur interes konkret për Vulajn dhe marrëveshja është pranë zyrtarizimit. Diçka të tillë e ka konfirmuar së fundmi, Alsid Tafili. Mesfushori i Tërbunit, por që po bën edhe rolin e menaxherit tashmë ku bëri bujë me lëvizjen e Erjon Vucajt në janar në drejtim të Deçiçit, ka konfirmuar se Vulaj është drejt kampionatit azer.
Për momentin emri i ekipit nuk bëhet i ditur pasi marrëveshja është në detajet finale. Një futbollist që ishte aq pranë Vllaznisë para pak kohësh me siguri do e gjejmë larg Ballkanit në merkaton verore.
Endri ÇINARI