Skënderbeu i pjesës së dytë të sezonit do të jetë ndryshe nga skuadra e cila përballoi pjesën e parë dhe do të luftojë për titullin. Ky është premtimi që ka bërë presidenti i korçarëve, Ardian Takaj dhe duket se lëvizjet e fundit të vartësve të tij tregojnë pikërisht se po mundohen që të realizojnë këtë objektiv që u ka vënë numri 1 i klubit.

Plani i ri përfshin afrimin dhe aktivizimin e lojtarëve me eksperiencë, duke mos eksperimentuar aq shumë me të rinjtë. Për këtë arsye pritet kthimi i Gavazajt në Korçë, ndërsa do të largohen ata të cilët nuk kanë pasur mundësinë që të tregojnë vlerat e tyre gjatë këtyre muajve.

VIP SPORT ka mësuar se një nga emrat e parë të larguar dhe që nuk llogaritet më pjesë e korçarëve në pjesën e dytë të sezonit është sulmuesi 21-vjeçar Renato Ziko. Futbollisti i cili kishte treguar talentin e tij në kategoritë e ulëta greke me Platanias, nuk ka bindur në Korçë gjatë 6 muajve, ku ka luajtur vetëm një ndeshje në Kupën e Shqipërisë në të cilën shënoi gol. Edhe pse ai u afrua me bujë si një talent premtues, kontributi i tij për skuadrën ka qenë i papërfillshëm, shenjë se Shehi nuk e sheh pjesë të projektit.

Ndaj sulmuesi është larguar përsëri drejt Greqisë, ku është formuar si futbollist dhe pritet që në javën e ardhshme të firmosë me Apollon Larisa, në kategorinë e dytë greke. Ziko ka zhvilluar edhe disa seanca stërvitore me klubin tij të ri dhe shumë shpejt do ët tërheqë dokumentacionin nga klubi korçar. /vipsport/