Nga Maringlen ZHIVANI

KF Shiroka ka zyrtarizuar trajnerin e ri, italo-argjentiasin Matias Tatangelo. Me ardhjen e tij në pankinë, KF Shiroka duket shumë e vendosur që të ecë përpara e sigurtë drejt arritjes së objektivit, ngjitjes në Kategorinë e Dytë.

Tashmë, me ardhjen e trajnerit Tatangelo, Fatmir Axhani do të jetë pjesë e bordit drejtues të KF Shirokës. Ndërkohë, zv/trajneri Valmir Kurti është larguar nga kjo detyrë ditën e sotme.

Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, shkak për këtë mund të kenë qenë ardhja e një trajneri tjetër për të drejtuar ekipin e KF Shirokës, siç është rasti i Tatangelo.

Megjithatë, të dy palët duket se e kanë mbyllur me mirëkuptim mes tyre, teksa Kurti në një komunikim me “Shkodra Sport” falënderoi drejtuesit e KF Shiroka për bashkëpunimin dhe i uroi suksese këtij ekipi në vazhdim.

“Jam larguar me mirëkuptim. E kam mbyllur pa ndonjë hatër-mbetje, përkundrazi jam shumë falënderues ndaj drejtuesve të KF Shiroka. Ishte kënaqësi dhe eksperiencë e bukur të isha pjesë e stafit të KF Shiroka. I falënderoj shumë dhe uroj ta shoh këtë ekip lart e më lart”,-tha Valmir Kurti.

KF Shiroka do të synojë me patjetër deri në fund të sezonit për të arritur objektivat e vendosur që klubi ka, atë të ngjitjes në Kategorinë e Dytë.