Kastrioti do të luajë këtë javë të 14-të të Abissnet Superiore ndeshjen e rradhës ndaj Vllaznisë. Krutanët akoma nuk e kanë emëruar përfundimisht një trajner të ri, teksa momentalisht ekipi po drejtohet në seancat stërvitore nga trajneri Shkëlzen Rustami, ish-zv/trajner i kësaj skuadre sezonin e kaluar.

Në fakt, Kastrioti do të vendosë së shpejti për trajnerin e ri të skuadrës. Madje, nga burime të “Shkodra Sport” është mësuar se trajneri i ri i krutanëve do të vendoset para ndeshjes me Vllazninë dhe më konkretisht, pritet që një gjë e tillë të ndodhë ditën e sotme.

Dy nga emrat që po lakohen për t’u rikthyer te Kastrioti, si kandidatë për t’u emëruar si trajnerë, janë edhe dy shkodranët, Elvis Plori dhe Samuel Nikaj.

Në fakt, që të dy edhe më parë kanë punuar në ambientin krutan dhe e njohin mirë klimën dhe atmosferën aty, aq më tepër kur që të dy “gëzojnë” marrëdhënie shumë të mira me drejtuesit e Kastriotit.

Realisht, si Plori, ashtu edhe Nikaj, momentalisht janë në drejtimin e dy skuadrave të ndryshme, me të parin që është në krye të Vllaznia U-21, ndërsa i dyti është trajner i Pogradecit në Kategorinë e Dytë.

Në fakt, qoftë Plori, qoftë Nikaj, në komunikimin e tyre me “Shkodra Sport” pohojnë se deri më tani nuk kanë pasur asgjë konkrete dhe serioze, por nga ana tjetër nuk e mohojnë faktin se emrat e tyre mund të qarkullojnë, pasi marrëdhëniet mes palëve kanë qenë gjithmonë tepër të mira. Megjithatë, gjithçka përfundimtare mbetet për t’u zbuluar në orët në vazhdim se kush do të jetë trajneri i ri i krutanëve.

Kujtojmë këtu se, Kastrioti ka mbetur pa trajner pas largimit të Emiliano Çelës, pas ndeshjes me Tiranën, ku krutanët e humbën me rezultatin e thellë 4-0.

Në fakt, ishte pikërisht ky trajner që vjet shpëtoi rënien nga Superiorja të Kastriotit, por tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar dhe Emiliano Çela nuk do të jetë më trajner i këtij ekipi.
Maringlen ZHIVANI