Merkato tashmë sa vjen e bëhet edhe më e nxehtë dhe lëvizjet sa vijnë dhe shtohen nga ana e futbollistëve. Një tjetër lojtar shkodran që duket se do ketë një destinacion të ri këtë sezon është Enes Papaj. Mesfushori që ishte pjesë e Apolonisë në edicion që u mbyll, tashmë e ka përfunduar bashkëpunimin me fierakët.
Vetëm 19 vjeç dhe që bie në sy për teknikën dhe goditjet e forta nga distanca, Papaj ka tërhequr vëmendjen e një skuadre jashtë vendit.
Bëhet fjalë për Hamrun në Maltë, ekip që e mbylli sezonin në vendin e 4-ët dhe që do jetë pjesë e kompeticioneve europiane gjatë verës. Por për lojtarin e formuar tek akademia Vllaznia, mund të ketë edhe një qëndrim në Superligë.
Ka disa skuadra që kanë shprehur interes për të, por ende pa konkretizuar ndonjë gjë. Papaj sapo është kthyer nga një dëmtim shumë i gjatë dhe që e ka mbajtur jashtë fushave të blerta thuajse gjatë gjithë sezonit. Por duke parë moshën e tij të re dhe cilësitë që zotëron, klube të ndryshme e shohin si një përforcim me vlerë dhe me prespektivë për të ardhmen.
Endri ÇINARI