Sulmuesi shkodran, Bekim Balaj, është zyrtarisht futbollisti dhe njëherësh afrimi më i ri i Vllaznisë. Padyshim që, një rol kyç në rikthimin e 32-vjeçarit në Shkodër pas 13-vitesh, ka luajtur edhe menaxheri i tij, Denis Balaj, njëherësh edhe djali i xhaxhait i Bekimit.
Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Denis Balaj ka treguar se pse Bekimi zgjodhi Vllazninë për t’u rikthyer në këtë moment. Ai u shpreh se Bekimi bëri një zgjedhje zemre, ndërsa theksoi se Vllaznia është e vetmja preferencë e sulmuesit në Shqipëri, duke lënë në këtë mënyrë me “gisht në gojë” edhe thashethemet e tjera për një transferim të tij në kryeqytet, tek Partizani apo Tirana.
“Rikthimi i Bekimit te Vllaznia? Kjo ishte një zgjedhje zemre. Në fakt, siç edhe Bekimi vetë e ka thënë gjithmonë, Vllaznia është preferenca e vetme e tij në Shqipëri.
Normalisht që është një krenari ky rikthim dhe në një moment pozitiv për Vllazninë, ku është tepër serioze në garën për titull dhe dëshirojmë, por edhe shpresojmë shumë që kjo të ndodhë dhe Bekimi të jetë një ndihmë sado e vogël për këtë objektiv.
A ka pasur pista të tjera? Në fakt, pistat kanë qenë, por siç ju thashë edhe njëherë ishte zgjedhje zemre dhe shumë dëshirë e madhe e tij që të ishte pjesë e Vllaznisë.
Unë besoj verbërisht tek Bekimi dhe tek ekipi i Vllaznisë. Personalisht, besoj se po formohet një grup i mirë dhe gjithashtu, pjesë e këtij grupi është edhe një staf i mrekullueshëm. Le të shpresojmë që të jetë ky viti i Vllaznisë.
Mesazh për tifozët e Vllaznisë? Realisht, dihet rëndësia e tifozëve të Vllaznisë dhe mbështetja e tyre do ishte një përforcim i madh për ekipin. Tifozët e Vllaznisë janë tifozët më të mirë dhe më besnik. Për këtë, nuk kam dyshime se do të jenë të shumtë në mbështetje të ekipit.
Unë uroj shumë suksese për gjithë klubin e Vllaznisë dhe tifozët e saj të mrekullueshëm”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, Denis Balaj, menaxheri i sulmuesit të Vllaznisë, Bekim Balaj.
Maringlen ZHIVANI