Drejtuesit e Vllaznisë kërkojnë që të shpejtojnë për ndërtimin e skuadrës, paçka se ekipi shkodran do të rikthehet në stërvitje me datën 10 qershor.
Kështu, nga burime pranë klubit shkodran për “Shkodra Sport” bëhet e ditur se, drejtuesit janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për rinovimin e kontratës me sulmuesin brazilian, Victor Da Silva, i cili është një ndër golashënuesit më të mirë të Vllaznisë në sezonin që lamë pas.
Me futbollistin brazilian është rënë parimisht dakord që të jetë edhe për këtë sezon pjesë e Vllaznisë dhe tashmë zyrtarizimi do të bëhet pas firmosjes së kontratës, pasi braziliani sot ka marrë pushimet për disa ditë, por pritet të rikthehet shumë shpejt dhe të firmosë rinovimin, të paktën edhe për një sezon, edhe pse kjo mbetet për t’u parë sërish.
Pas hezitimeve të momentit, Da Silva ka gjetur dakordësinë me klubin për anën financiare dhe tashmë firma mbetet një formalitet. Megjithatë, gjasat janë që kjo të ndodhë vetëm pas rikthimit nga pushimet nga ana e tij, në ditët e para të stërvitjes, që do të startojë me 10 qershor.
Maringlen ZHIVANI