Prej pak kohësh po luan futboll as më pak dhe as më shumë por në Hong-Kongun e largët. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që një futbollist shqiptar të luante në këtë vend dhe atë e bëri realitet shkodrani Ndue Mujeci.

Ish-futbollisti i Vllaznise dhe i Ades, ka firmosur për ekipin e kategorisë së parë Happy Valley AA një kontratë njëvjeçarë dhe gjithçka po shkon mirë për të dhe për ekipin e tij që konsiderohet pretendenti kryesor për ngjitjen në Superligën e këtij vendi.

Mujeci ka shënuar plot 8 gola në 4 ndeshjet e para duke qenë njëkohësisht edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit.

25 vjeçari ka pranuar me kënaqësi të flasë për “Shkodra Sport” duke shpjeguar ndjesinë e të luajturit në Hong-Kong, jetën atje por edhe për shumë gjëra të tjera:

-Mujeci, a mund të na shpjegoni si ju lindi ideja për të luajtur në Hong-
Kong?

-Të them të drejtën gjithmonë më ka pëlqyer që të luajë në këto vende, në
Azinë e largët dhe sapo mu prezantua kjo ofertë nga ana e menaxherit, nuk
i thashë “jo”.

-Arsyeja e kësaj zgjedhje është ajo financiare?

Jo nuk është arsyeja financiare, por kisha qejf të provoja diçka ndryshe.

-Si shpjegohet që prej disa vitesh luani në kampionate që futbollistët shqiptarë si kanë provuar ndonjëherë, në Letoni, Gjeorgji, Qipron turke
dhe së fundi në Hong- Kong?

E përmenda edhe më lart. Më pëlqejnë gjithnjë aventurat e reja. Një jetë kemi për të jetuar dhe po mundohem ta shijoj atë përmes futbollit. Përpos kësaj, ofertat kanë qenë të mira dhe sinqerisht që kam kaluar kohë fantastike gjithë këto vite.

Pa lënë mënjanë faktin se kam patur edhe suksese dhe çka është më kryesorja kam qenë gjithmonë i vlerësuar prej njerëzve rreth këtyre klubeve.

-Si është të jetosh në Hong- Kong?

Fillimi ishte pak i vështirë por jam përshtatur shumë shpejt. Çdo gjë këtu
është ndryshe me Europën, ushqimi, njerëzit. Lëvizin shumë shpejt, punojnë
shumë, ndryshe nga ne.

-Po niveli i futbollit të kategorisë ku ju luani?

Mund të them se është më i mirë se në Shqipëri. Pothuajse çdo ekip ka tre
të huaj në përbërje të tij dhe kjo e ka rritur nivelin e kampionatit. Ajo
që i bën futbollistët të zgjedhin këtë vend është edhe korrektesa financiare. Asnjë ekip nuk ka probleme me rrogat, Federata është shumë
strikte për t”i ndëshkuar ato që i vonojnë ato.

-Kush është Happy Valley?

Një ekip me emër në këtë vend por kanë pasë disa probleme dhe tash janë duke u rikthyer sërish në nivele të larta. Fillimi i kampionatit është shumë i mirë dhe besoj se do të rikthehemi në Superligë.

Kemi luajtur katër ndeshje dhe i kemi fituar të gjitha. Ndodhemi në vend të parë në renditje dhe me 99 për qind rikthehemi në elitën e futbollit të këtij vendi në fund të sezonit.

-Po ecuria juaj personale si ka qenë në këto javë?

E shkëlqyer, nuk ka si bëhet më e mirë. Në 4 ndeshje kam shënuar plot 8 gola dhe ndodhem në vend të parë në renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit.

Në ndeshjen e fundit shënova plot 5 gola dhe kjo më ka bërë të lumtur. Njëkohësisht kam marrë shumë vlerësime prej drejtuesve por
edhe prej tifozëve të skuadrës.

-Keni ndër mend të vazhdoni më gjatë në këtë vend?

Nuk e di se është herët të them për këtë gjë. Kampionati mbaron në maj dhe
deri atëherë mund të ndryshojnë shumë gjëra. E rëndësishme është të vazhdoj të luaj në këtë mënyrë.

Por dua të them se që tani ka filluar një interesim nga ana e klubeve të ndryshme për mua, madje edhe ato të Superligës së këtij vendi.

-Ju urojmë suksese në këtë përvojë tuajën të re…

Faleminderit juve për interesimin.

Gjergj KOLA