Nga Maringlen ZHIVANI

Kombëtarja Shpresa do të luajë dy takime miqësore këtë muaj kundër Greqisë dhe Luksemburgut. Ekipi i Alban Bushit do të fillojë të dielën përgatitjet dhe këto ditë do të shpallë edhe listën e futbollistëve që do të grumbullojë. Ndërkohë, “Shkodra Sport” ka mësuar se dy emra që kanë marrë një ftesë nga trajneri i Kombëtares U-21, janë edhe dyshja që kanë shkëlqyer këtë sezon te Vllaznia.

Fjala është për portierin Aron Jukaj dhe sulmuesin anësor Kevin Dodaj. Të dy ata, falë paraqitjeve pozitive me Vllazninë, që nga dita e dielë, do të jenë nën urdhrat e trajnerit Bushi. Për Jukajn, kjo do të jetë hera e parë që do të jetë pjesë e Kombëtares U-21, ndërsa Dodaj ka qenë edhe më parë pjesë e Shpresave.

Në fakt, si Jukaj, ashtu edhe Dodaj, jo vetëm që kanë shumë ndeshje që po luajnë titullarë me kuqeblutë, por kanë bërë edhe shumë mirë. Mungesa e përvojës në ekipin e parë nuk ka ndikuar fare tek ata dhe ndonëse është sezoni i tyre i parë me Vllazninë, kanë treguar personalitet dhe cilësi, duke ofruar shumë siguri tek stafi teknik dhe trajneri Brdariç, por edhe tek sportdashësit të cilët mendojnë se tashmë skuadra shkodrane ka fituar dy futbollistë me shumë të ardhme.

Në këto rrethana, ftesa për në Kombëtaren U-21 për të dy është mëse e merituar dhe që nga dita e dielë, Jukaj dhe Dodaj do të jenë nën urdhrat e trajnerit Bushi. Ky i fundit, pak kohë më parë, rinovoi edhe kontratën me FSHF-në dhe do të jetë në drejtim deri në fund të vitit 2026. Sa u përket takimeve, më 21-mars Shpresat do të sfidojnë Greqinë, me takimin që do të luhet në “Serres Municipal Stadium”, në orën 16:00, 80-kilometra larg Selanikut.(www.shkodrasport.com)