Dy ditë më parë ka firmosur një kontratë profesioniste me Bolonjën dhe ndonëse është vetëm 17 vjeç, lojtari me origjinë nga Shkodra do të jetë portieri i tretë i kësaj skuadre në Seria A.Një ëndërr e bërë realitet, por vetëm e para sepse në të ardhmen me siguri që do t’i plotësohen edhe shumë të tjera Marco Mollës.
Ashtu siç ndjeu kënaqësi të papërshkrueshme kur u shpall nënkampion Europe muajin e kaluar në Irlandë duke mbrojtur si titullar portën e kombëtares italiane të kësaj grupmoshe.
Dhe të mendojmë se deri para një viti këtë portier e kemi patur në kombëtaren shqiptare (ndoshta nuk ditëm ta mbajmë), padyshim që e kupton lehtë se çfarë kemi humbur.
Në Itali i besojnë verbërisht talentit të tij. Aq sa drejtori sportiv i klubit Riccardo Bigon bindi drejtuesit e lartë se duhej të nënshkruanin sa më shpejt me këtë portier para se t’u ikte nga duart.
Megjithatë, Marco ndjehet më shqiptar se kurrë pavarësisht se Bolonja dhe Italia i kanë hapur dyert e një karrierë me shumë të ardhmen. Vetëm dy ditë pas hedhjes së firmës në kontratë, Marco i shoqëruar nga i ati- Besniku dhe familjarët e tjerë, kanë udhëtuar menjëherë drejt Shkodrës dhe Shqipërisë për të pushuar pak ditë në vendlindjen e tij.
Kjo tregon se është i lidhur shumë me këtë vend, ndonëse ka lindur në Itali dhe në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” e pranon këtë gjë kur thotë: “Kam lindur në Itali por zemrën e kam shqiptare dhe do të mbes deri në vdekje shqiptar”. Dashuria per vendin e te pareve eshte kudo prezente ne sjelljen e tij, ne fytyren, por me se shumti ne te foluren qe e ka shume te paster dhe jo si shume shqiptare te tjere qe thuajse nuk e flasin me gjuhen me.
Marco Molla nuk do ketë shumë kohë për të pushuar. Më 4 korrik Bolonja nis përgatitjet për sezonin e ri dhe atij i duhet të vihet në dispozicion të trajnerit Mihajlloviç dhe stafit të tij, për të nisur kësisoj të parin “sezon të ëndrrave”. Ja intervista e dhënë sot nga Marco për gazetën tonë:
– Marco, dy dite me pare keni firmosur kontraten e pare profesioniste. Besoj se keni perjetuar momente te lumtura?
Po, kam firmosur dy ditë më parë kontratën me Bolonjën dhe padyshim që jam shumë i kënaqur. Ky klub më dha një mundësi shumë të mirë dhe prandaj falenderoj drejtuesit dhe gjithë ekipin. Padyshim që është kënaqësi e madhe të jesh pjesë e një skuadre të Seria A sepse do të jem portier i tretë i ekipit të parë të Bolonjës.
– Në këtë moshë, të jesh pjesë e Seria A besoj se është privilegj por njëkohësisht edhe detyrim për të bërë më të mirën edhe në të ardhmen, apo jo?
– Sigurisht që kjo më motivon edhe më shumë sepse kënaqësia mbyllet këtu. Ajo që do kërkoj unë nga vetja është që gjithmonë të jap maksimumin për të justifikuar besimin e drejtuesve.
– Deri para pak kohësh keni qenë pjesë e kombëtares U17 të Shqipërisë ndërsa prej pak muajsh mbroni portën e Italisë, kombëtare me të cilën muajin e kaluar u shpallët nënkampion Europe. Çfarë do të thotë kjo për ju?
– Unë dua të falenderoj Shqipërinë për të gjitha grumbullimet që kam bërë për të, por Italia më dha një mundësi të artë dhe u mundova ta shfrytëzoj. U shpalla nënkampion Europe në vetëm pak muaj që jam pjesë e saj dhe kjo padyshim që është diçka fantastike. Megjithatë, unë kudo them se jam shqiptar. Vërtetë kam lindur në Itali, por zemrën e kam shqiptare. Prindërit e mi janë shqiptarë dhe prandaj edhe unë shqiptar do mbetem gjithë jetën.
Gjergj KOLA