Në raundin e parë apo në të dytin e “Europa Conference League”? Drejtuesit e Vllaznisë por edhe tifozët e shumtë të saj janë trazuar jo pak nga lajmet kontradiktore që kanë qarkulluar dy ditët e fundit. Pikerisht për këtë, ata fillimisht i janë drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të së cilës nuk kanë qenë në gjendje t’i japin një përgjigje konkrete.
Ata u kanë ofruar një tabelë të ardhur nga UEFA ku janë të gjitha ekipet pjesmarrëse në Kupat e Europës dhe ku Vllaznia si fituese e Kupës së Shqipërisë, do të luajë në turin e parë të këtij kompeticioni europian.
Megjithatë, drejtuesit e Vllaznisë nuk janë ndalur këtu. “Shkodra Sport” mëson se ata kanë kontaktuar edhe me Diederik Dewaele, drejtorin e futbollit në Shoqatën Europiane të Klubeve (ECA), institucion ky që është shumë pranë UEFA-s për të gjithë kompeticionet që ky institucion organizon.
Dhe sipas Dewaele, Vllaznia do të marrë pjesë në turin e dytë të “Conference League”. Por për ta zyrtarizuar përfundimisht pritet vendimi përfundimtar i UEFA-s. Kjo ngaqë pritet vendimi përfundimtar për apelimin që Federata Ruse e Futbollit i ka bërë vendimit për përjashtimin e saj dhe të klubeve të saj nga të gjithë kompeticionet.
Me shumë të ngjarë edhe apelimi nuk do t’i jape te drejte rusëve dhe për këtë arsye, një ndër përfituesit e këtij vendimi do të jetë edhe Vllaznia që do të kalojë direkt në turin e dytë të “Conference League”. Nëse ndodh kjo, atëherë shkodranët do të presin shortin që do të hidhet më 15 qershor ndërkohë që ndeshjet e këtij turi do të luhen në datat 21 dhe 28 korrik./SHKODRA-SPORT.COM/