Nga Endri ÇINARI
Futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Europën dhe përjashtim nuk bën as Suedia. Në vendin skandinav prej më shumë se 3 vitesh luan, Albion Kurbasha. Ish-futbollisti i akademisë Vllaznia, i cili po zhvillohet profesionalisht në tokën vikinge. Lojtari i linjës së majtë aktualisht është pjesë e ekipit të Nackas.
Skuadër me të cilën e lidh një kontratë deri në fundin e këtij sezoni. Por duket se sezoni i ardhshëm do e gjejë 19-vjeçarin në një destinacion tjetër. Sipas burimeve të “Shkodra Sport” për mëngjërashin po interesohet për një lëvizje të madhe, menaxheri i njohur italian, Fabio Algeri. Nëpërmjet kompanisë ku ai është i punësuar, SEG, ish-futbollisti përmes skautëve të ndryshëm ka arritur në gjurmët e Kurbashes.
Nga një miqësore që kombëtarja u-19 e Shqipërisë para thuajse një viti ndaj Italisë, Kurbasha ra në sytë e menaxherëve italianë. Por një dëmtim që pësoi pas atij takimi, e la për 5 muaj larg fushave shkodranin. Megjithatë kontaktet mes Algerit dhe Kurbashes kanë qenë të vazhdueshme. Dhe tani pas dëmtimit, Kurbasha është kthyer në formën e duhur.
Në dy ndeshjet pas kthimit, mëngjërashi i ka luajtur të dyja si titullar, duke asistuar po ashtu 2 herë për shokët. Duke bërë që italiani të këmbëngulë sa më shpejt për një lëvizje në janar të Kurbashes. Kurbasha aktivizohet kryesisht si mbrojtës i majtë, por gjithashtu edhe në linjën e majtë të mesfushës apo sulmit.
Patjetër që bashkëpunimi me Algerin dhe kompaninën SEG, që menaxhon emra të mëdhenj të futbollit europian si: Hojlund, Gakpo, Gomez apo De Roon, Blind dhe shqiptarin Arbnor Muja, do ishte i frytshëm edhe për Kurbashen. Tashmë na mbetet të presim nëse do kemi një lëvizje të bujshme të 19-vjeçarit në merkaton dimërore.