Miklovan Pere do të jetë futbollisti më i ri i Pogradecit. Lajmin e kanë konfirmuar burime të “Shkodra Sport” pranë klubit pogradecar. Pere është afrimi i parë për organikën e trajnerit Samuel Nikaj për sezonin e ri në Kategorinë e Parë.

33-vjeçari, sezonin e fundit luajti për Elbasanin, duke fituar edhe titullin kampion me këtë ekip dhe duke u ngjitur në Superiore me verdheblutë. Pere ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të organikës së Elbasanit në sezonin e kaluar, teksa me këtë fanellë zhvilloi 28-ndeshje, duke marrë 2255-minuta.

Mbrojtësi e njeh mirë futbollin shqiptar, pasi më parë ka luajtur edhe për skuadra si Turbina, Pogradeci, Dinamo dhe së fundmi Elbasani. Ky është një rikthim për Peren në Pogradec, ekipin e qytetit të tij të lindjes, aty ku së bashku me pjesën tjetër të skuadrës do të synojnë që në sezonin e ri të ngjiten në Superiore.

Pere nuk pritet të jetë afrimi i vetëm i Pogradecit, pasi në ditët e ardhshme pritet të pasohet me firma të tjera. Kujtojmë se, klubi i Pogradecit është bërë me pronarë të rinj, të cilët kanë blerë aksionet e klubit dhe ato kanë një projekt ambicioz për të kthyer klubin në elitë, teksa së bashku me trajnerin shkodran Samuel Nikaj, i cili do të vijojë në krye të Pogradecit, do të ndërtojnë një skuadër që synon Superioren.

Nga sa mësohet, drejtuesit dhe trajneri shkodran Samuel Nikaj po tentojnë të afrojnë në gjirin e ekipit të tyre futbollistë me emër dhe eksperiencë, që mund t’i bëjnë punë për vitin e ardhshëm.
Maringlen ZHIVANI