Merkato është në kulmin e saj dhe lëvizjet po ndodhin në mbarë Europën. Ku shumë futbollistë po gjejnë ekipet e reja dhe po kërkojnë eksperienca të reja në karrierën e tyre. Një nga këta futbollistë është edhe Tomas Kiri. Shkodrani do jetë pjesë e futbollit italian ku së fundmi ka firmosur me skuadrën e United Riccione.
“Shkodra Sport” mëson në mënyrë ekskluzive që gardian do prezantohet ditën e nesërme në rradhët e klubit italian që militon në Seria D. Prej disa javësh ai ishte pjesë e skuadrës, ku edhe ka zhvilluar seancat stërvitore. Madje edhe firma ka ardhur para disa javësh mes palëve. Por është dashur të kompletohet dokumentacioni i plotë që vjen nga FSHF, që tashmë duket se ka mbërritur në Itali dhe gjithçka do jetë zyrtare nesër.
Kujtojmë që Kiri në sezonin që shkoi ishte pjesë e Kastriotit. 19-vjeçari ishte i huazuar nga ekipi i Tiranës, që kishte në zotërim kartonin e shkodranit. Po ashtu Kiri i cili është edhe pjesë e kombëtareve të moshave, ka kaluar edhe tek Akademia Vllaznia, ku ka hedhur hapat e parë të futbollit. Për tu bashkuar më pas me akademinë e Shkëndijës së Tiranës.
Si profesionist ai është aktivizuar me Tiranën dhe Kastriotin në vendin tonë. E ndërsa Riccione do jetë aventura e tretë për portierin dhe e para jashtë vendit. Ku tek Kiri shikohet një element potencial i së ardhmes dhe që mund të bëjë karrierë në futbollin europian.
Endri ÇINARI