Ditët e fundit ka qarkulluar një lajm në ambientin sportiv shkodran që ka probleme me pagat tek volejbolli i vajzave. Madje duke aluduar se vajzat kuqeblu nuk do dilnin as në stërvitje. Duke bojkotuar kështu edhe procesin stërvitor deri në momentin që pagat do shlyeshin.

“Shkodra Sport” u interesua për këtë problematikë dhe kontaktoi edhe presidentin e shoqatës, Florian Zekja. Në një prononcim për gazetën tonë, Zekja ka sqaruar situatën duke qartësuar këdo.

Fjalët e tij vijojnë si më poshtë:

“Përshëndetje.

Ju falënderoj që po më jepni rastin të sqaroj situatën në ekipin e vllaznisë volejboll femra.
Shoqata e Shkodrës Vllaznia Volleyball mbulon të gjitha shpenzimet që nevojiten për mbarëvajtjen e ekipeve zinxhir si dhe ekipit të të rrituarave.

Këtu mund të përmend tarifat e federatës, shpenzimet për zhvillimin e ndeshjeve si brënda ashtu dhe jashtë Shkodrës, furnizon me bazë materiale dhe uniforma për stërvitje apo për ndeshje, transportin dhe akomodimin nëpër hotele kur ekipi është në transfertë,marketing etj.

I vetmi zë që mbulon Bashkia Shkodër është ai i Bonove Ushqimore,të cilat i jepen sportistëve për ditët që marrin pjesë në stërvitje apo ndeshje.

Përfitimi i këtij fondi financiar përfitohet sipas një procedure të përmuajshme e cila fillon në fillim të muajit pasardhës.
Kjo praktikë nga administrata e Shoqatës kalon tek Inspektori mbikëqyrës përkatës, zyra e kulturës dhe sporteve,financa dhe dizborsohet nga thesari dhe në fund shpërndahet nëpërmjet llogarive bankare të gjitha sportisteve përfituese. Kjo procedurë mund të zgjasë nga 15-20 ditë dhe me informacionin që kam ka qënë përherë kështu.

Për momentin jemi në pritje të fondit për muajin nëntor 2022. Si Ne janë në pritje të gjitha Shoqatat Sportive që përfitojnë mbështetje nga Bashkia Shkodër.

Në eksperiencën time që prej qershorit të 2021 administrata e Bashkisë Shkodër ka qënë përherë korrekte dhe efikase në kryerjen e këtyre procedurave, përveç se në rastin e kalimit të detyrës së kryetarit rë Bashkisë mbas zgjedhjeve dhe më duket e kuptueshme. Dhe aty ishte çështje ditësh.

Unë mendoj se pretendimi për të ndërruar ligjet apo procedurat më duket i pamundur.
Më shumë mendoj se është një përpjekje e disa vajzave për të marrë disa ditë pushim e për të mos dalë në stërvitje sepse Bonot e Ushqimit për pak ditë do merren dhe çdo alibi do marri fund.

Natyrisht nuk është një xhest i bukur dhe sportiv nga ana e pak vjzave sepse vë në vështirësi stafin drejtues në programin stërvitor që kanë përgatitur.

Gjithsesi këtë përpjekje për të bërë lajm nuk e marr seriozisht sepse situata do normalizohet dhe duhet të përgatitemi për sfidat e ardhshme.
Duke falënderuar gjithmonë mediat shkodrane që janë në shërbim të sportit dhe pasqyrimit të realitetit,Ju uroj gëzuar festat e fundvitit”- ka përfunduar edhe sqarimin e tij Zekja.
Endri ÇINARI