Nga Maringlen ZHIVANI

Pogradeci u mposht në transfertë me Kastriotin me shifrat 2-0. Pas humbjes, trajneri shkodran i liqenorëve, Samuel Nikaj dha dorëheqjen. Ai duket se e ka menduar mirë marrjen e këtij vendimi, teksa vetë Nikaj në një prononcim për “Shkodra Sport”, tregon pse u largua nga skuadra e Pogradecit. Në fjalët e tij, trajneri shkodran thotë se këtë vendim e ka marrë që pas humbjes me Korabin, ndërsa shton se arsyet e dorëheqjes janë personale. Poashtu, Nikaj shprehet se është krenar për çfarë ka bërë këto vite në Pogradec, sepse tashmë sipas tij klubi është në një nivel tjetër në të gjitha aspektet sportive.

“Është një vendim që e kam marrë që pas humbjes me Korabin, por për arsye profesionale e kam shtyrë edhe këto dy ndeshjet e rradhës, në mënyrë që pasardhësi im që do vijë pas meje, të ketë dy javë kohë të njihet me skuadrën, sepse nuk do ishte fair-play nga ana ime të largohesha pas fitores me Apoloninë. Arsyet e dorëheqjes janë krejtësisht personale.

Nuk ka lidhje ndonjë krisje me presidentin Armand Lilo apo Kryetarin e Bashkisë, Ilir Xhakolli. Me këtë rast, i falënderoj që të dy për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kohës që unë isha trajner në Pogradec. Poashtu, gjej rastin të falënderoj publikisht futbollistët, ambientin sportiv dhe krejt njerëzit pa përjashtim në Pogradec për këto dy vite e gjysëm të kaluara së bashku. Jam larguar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe e them edhe njëherë tjetër pa asnjë lloj krisje me asnjë person.

Di të them se në Pogradec kam kaluar ditë të mira dhe të këqija, por jam krenar për çfarë kam bërë këto vite, sepse klubi tashmë është në një nivel tjetër në të gjitha aspektet sportive. Në fund, uroj që Pogradeci ta arrijë objektivin e vet, që është hyrja në play-off dhe më pas ngjitja në Superiore”,-tha Nikaj në fjalët e tij për “Shkodra Sport”.

Samuel Nikaj e drejtoi prej tre sezonesh ekipin e Pogradecit, ku vitin e kaluar e ngjiti nga Kategoria e Dytë në të Parën. Aktualisht, skuadra e Pogradecit ndodhet në vendin e tetë me 15-pikë, teksa ka marrë pesë fitore dhe shtatë humbje deri më tani./www.shkodrasport.com/