Viti i ri 2023 ka nisur me lajme tepër të mira për Kevin Haverin, pasi ai ka firmosur për kalimin e tij te Torino. Futbollisti i talentuar shkodran, i cili është prodhim i Akademisë AAS, ka gjetur akordin me klubin italian të Seria A që gjashtë muaj më parë.

Torino ka kohë që e ndjek nga afër ecurinë e talentit shkodran dhe tashmë Haveri, i cili shquhet edhe për fizikun e tij, pritet të zyrtarizohet në fillim të janarit. Lajmi në fjalë është konfirmuar për “Shkodra Sport” edhe nga burime të sigurta pranë vetë Haverit.

Në fakt, klubi i njohur i Seria A ka tentuar edhe më parë për ta bërë futbollistin shkodran pjesë të tyre, por pengesë u bë Rimini dhe disa proçedura burokratike atëherë. Megjithatë, tashmë duket se gjithçka është përfundimisht e mbyllur dhe është çështje ditësh që Kevin Haveri të kalojë nga Rimini tek Torino.

Një mundësi e shkëlqyer për futbollistin shkodran, i cili sezonin e kaluar luante në Serinë D dhe tashmë pritet të bëjë hapin e madh në Serinë A. Nga sa bëhet e ditur nga burime të “Shkodra Sport”, ai ka nënshkruar një kontratë katër-vjeçare me Torinon deri në vitin 2026 që do të bëhet zyrtare në janar.

Kevin Haveri, i cili është 21-vjeç, ka luajtur 13 ndeshje deri tani në këtë sezon me fanellën e Riminit. Ndërkohë që, në verë falë paraqitjeve pozitive në futbollin italian, ai u pikas dhe grumbullua edhe nga trajneri Edoardo Reja në Kombëtare, por pa arritur që të debutonte me kuqezinjtë, ç’ka pritet të shtyhet në një të ardhme jo të largët, tashmë që do të bëhet pjesë e Torinos.
Maringlen ZHIVANI