Skënderbeu nuk po kalon një sezon të shkëlqyer dhe kjo kuptohet lehtë. Në 4 javët e fundit ka 3 humbje dhe një barazim duke konfirmuar krizën në kampin korçar. Pas një nisjeje shumë të mirë, trajneri Orges Shehi nuk po arrin të motivojë më skuadrën dhe ka paraqitur dorëheqjen.

Një vendim që me siguri do të kthehet nga presidenti Ardian Takaj. Ky i fundit e ka shpjeguar disa herë se skuadra është rinovuar dhe do të mundohet që të shesë futbollistë për jashtëvendit, pasi me dënimin e UEFA-s, nuk mund të përfaqësohen në kompeticionet europiane.

Në kushte të tilla puna për shitjen e lojtarëve ka nisur. Emri më i lakuar ka qenë mbrojtësi Fidan Aliti, në fakt futbollisti që mund të depërtohej më lehtë jashtë kufijve. 25-vjeçari po luan sezonin e tij të dytë në vendin tonë dhe takimi ndaj Kamzës do të jetë i fundit me fanellën e Skënderbeut. Burime të ndryshme të Telesport pranë klubit të Skënderbeut bëjnë me dije se marrëveshja për Alitin është mbyllur dhe kosovari është shitur.

Aliti do të vazhdojë karrierën në Suedi, ndërsa korçarët do të përfitojnë rreth 500 mijë euro. Drejtori sportiv Haris Fakic ka udhëtuar drejt shtetit skandinav dhe ka arritur që të mbyllë marrëveshjen. Zyrtari i korçarëve ka mbyllur dhe detajet e vogla të transferimit. Ekipi ende nuk bëhet i ditur, por i rëndësishëm është fakti se arkëtimi i korçarëve do të jetë i majmë dhe futbollisti do të vijojë karrierën në një shtet tjetër.

Kampionati suedez ka mbaruar dhe ekipet po punojnë për të bërë afrimet e duhura për sezonin e ri. Për shqiptarin, kalimi në Suedi është një tjetër trampolinë, pasi ekipet suedeze mundohen të pikasin futbollistë të mirë dhe më pas ti shesin drejt europës perëndimore.

Mbrojtësi është i duhuri, pasi ka eksperiencë në Europë duke qenë se ka luajtur në Zvicër me Luzernën, Moldavi me Sheriff Tiraspolin dhe në Kroaci me Slaven Belupon. Ekipet e mundshme që mund të rrëmbejnë Alitin janë AIK-u, kampioni i Suedisë, Malmo apo Norrkopingun që mund të përballojnë atë shifër.

Emri i ekipit nuk bëhet ende i ditur, por i rëndësishëm është fakti se Aliti është shitur dhe se nga janari nuk do të jetë më pjesë e korçarëve. Drejtuesit kanë zgjedhur dhe pasardhësin e tij, “frenat e mbrojtjes” do t’ia besojnë Kaba Sambous me shpresën për ta shitur dhe atë.