Është hedhur këtë të martë shorti i turit të parë të UEFA Conference League. Kështu sipas shortit, skuadra e Vllaznisë do të luajë kundër Valur në këtë tur. Ndeshja e parë do të luhet në Islandë, ndërsa ajo e kthimit në Shkodër pas një jave.

Pas hedhjes së shortit, drejtori sportiv i kuqebluve Tefik Osmani, në një komunikim nga Nyon i Zvicrës me “Shkodra Sport” tha se beson se Vllaznia do të kalojë në turin tjetër.

“Ne kemi filluar stërvitjen me datë 10-qershor dhe jemi përgatitur maksimalisht. Normalisht që, çdo skuadër që ka ardhur deri këtu është skuadër e mirë, sepse jo më kot marrin pjesë në Conference League. Unë mendoj se do të japim maksimumin dhe besoj se mund të kalojmë për më tej. Kam shumë besim se mund ta arrijmë diçka të tillë”,-tha drejtori sportiv i KF Vllaznia, Tefik Osmani.

Tashmë, mbetet për t’u parë se çfarë do të dhurojnë dy sfidat mes këtyre dy skuadrave, ku e para do të luhet më 11 korrik në Islandë dhe e kthimit pas një jave në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Maringlen ZHIVANI