Ardhja e Migen Memellit në krye të skuadrës shkodrane, ka sjellë edhe disa ndryshime të tjera në stafin e saj. Kështu siç është bërë e ditur, krahu i djathtë i tij do të jetë Ndriçim Shtubina. Por sakaq, pritet të ketë ndryshime edhe sa i takon përgatitësit atletik.

Pas gati dy vitesh në Shkodër, bullgari Mihail Tzokov pritet të mos jetë më pjesë e Vllaznisë. Një gjë e tillë do të konfirmohet më mirë ditën e nesërme kur kuqeblutë të nisin stërvitjen.

E sigurtë është që Tzokov do të mungojë. Por nga ana tjetër drejtuesit e klubit duket se e kanë gjetur edhe zëvendësuesin e tij. Fjala është për lezhjanin Aurel Locaj, i cili pritet të vijë në Shkodër pas eksperiencën me klubin e Erzenit këtë sezon. Po ashtu, Locaj ka punuar edhe me ekipet Kombëtare si përgatitës atletik.

Ndërkohë, nga ana tjetër me sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë drejtuesve të Vllaznisë, ata kanë mbetur tepër të pakënaqur me punën e bërë nga përgatitësi atletik i mëparshëm, Mihail Tzokov dhe prandaj nuk është rinovuar kontrata më me bullgarin.

Në fakt, FSHF e ka vendosur si kusht prej dy sezonesh që skuadrat të kenë patjetër një përgatitës atletik në staf dhe kështu, klubi shkodran pritet të përzgjedhë lezhjanin Aurel Locaj. Gazeta mëson se ai ka patur kontakte me drejtuesit e klubit dhe mbetet vetëm arritja e akordit përfundimtar që me shumë të ngjarë do të ndodhë paraditen e nesërme.
Maringlen ZHIVANI