Jeton prej 6 vitesh në Islandën e largët dhe mund të jetë ndër shkodranët e pakët atje. E kemi fjalën për Silvan Çokajn, një trajner futbolli që pasionin e tij për këtë lojë magjike po e vazhdon edhe në ishull.

Gazeta “Shkodra Sport” e ka kontaktuar dhe ka zhvilluar një intervistë me të, për të mësuar diçka më shumë në lidhje me kundërshtarin e Vllaznisë, pikërisht Valurm futbollin islandez, kushtet atmosferike dhe detaje të tjera që i presin kuqeblutë atje. Për më shumë lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë:

– Silvan përshëndetje…

Përshëndetje!


– Ju jetoni prej vitesh në Islandën e largët, vend në të cilin Vllaznia luan javën e ardhshme ndaj Valur. A mund të na thoni si është pritur në ambjentin islandez me aq informacion sa keni, përballja e kësaj skuadre me Vllaznine?

Nuk është se ka bërë lajm shorti i kësaj faze, për vetë nivelin e klubeve që marrin pjesë dhe rëndësisë që ka si kompeticion “Conference League”.


– Kush është Valur në futbollin islandez? Çfarë forme gëzon aktualisht?

Valur është një ndër klubet më të suksesshme dhe më të famshme të Islandës dhe gëzon respekt nga mbarë fubolldashësit islandez. Është një ndër klubet më të titulluara të Islandës dhe sigurisht çdo vit pretendent për titull, ashtu si dhe sivjet. Forma e Valurit aktualisht e mirë, madje mund të them se është në kulmin e saj, sepse jemi pothuajse në mesin e sezonit futbollistik këtu.


– Cila është pika më e fortë sipas jush e Valur dhe pika më e dobët e tij?

Atëherë sa i përket pikave të forta mund të cilësoja forcën e grupit të përbërë nga lojtarë me mjaft eksperiencë të cilët kane vitë që luajnë sëbashku. Ka një trajner me eksperiencë ndërkombëtare i cili i beson përvojës së lojtarëve që ka dhe ndaj nuk ka bërë ndryshime të shumta sa i përket formacionit bazë nga viti paraardhës. Por dhe ardhja e Gilvi Sigurdson duket që e ka rritur ndjeshëm atmosferën në ekip, edhe pse nuk po luan rregullisht për shkak të formës fizike.
Një fakt interesant është që lojtarët e formacionit bazë të gjithë pothuajse kanë qenë pjestarë të ekipeve kombëtare islandeze që nga moshat e deri tek ekipi i parë.

Lojtarët që duhen veçuar sigurisht janë Sigurdson që nuk ka nevojë për koment po të jetë në formën e tij më të mire. Po ashtu edhe sulmuesi Pedersen, një lojtar teknik dhe shumë i shpejt aktualisht dhe golashënues si dhe mesfushori organizativ shumë inteligjent Johanson i cili ka një teknikë që shumë mirë mund të ishte edhe pjestar i ndonjë lige më të mirë se sa e Islandës.

Ndërsa pika më e dobët mund të jetë mbrojtja. Kjo bën pjesë në mentalitetin e klubeve islandeze të cilat fokusin kryesor kanë sulmin dhe presingun lart ndaj dhe hapësirat në prapavijë janë të shumta. Gjithashtu një pikë tjetër e dobët mund të jenë dhe lojtarët e stolit të cilët kanë një diferencë goxha të madhe nga ana kualitative me ata të formacionit bazë.

– Si shpjegohet që mosha mesatare e ekipit është 31 vjeç?

Sa i përket moshës së lojtarëve thjesht mund ta lidhja me arsyen që thashë më lart, që trajneri i beson më shumë eksperiencës së lojtarëve.

– Pse në faqen zyrtare të Valur asnjë interes për shortin, për ndeshjet europiane por vetëm për kampionatin e tyre?

Për këtë pyetje do ndalem pak më shumë. Siç e thashë më lart, ka të bëjë dhe rëndësia e kompeticionit dhe e klubeve që marrin pjesë në këtë fazë, por zakonisht klubet islandeze janë me këmbë në tokë. E dinë kapacitetin e tyre për në Europë, nuk ëndërrojnë ndeshjen e dytë apo të tretë pa kaluar të parën siç rëndom bëjnë drejtuesit e ekipeve shqiptare.

Edhe pse liga islandeze është gjysëm profesioniste dhe ekipet kanë një buxhet të ulët, e them me bindje të plotë që nga ana organizative, manaxheriale, nga struktura e terreneve sportive, nga “scoutizmi” dhe profesionalizmi, janë shumë më lart se liga “profesioniste” shqiptare.

Ndaj ndodh që interesi i publikut dhe rivaliteti është më shumë brenda ekipeve të kampionatit vendas në mënyrë që të rritet niveli i kampionatit dhe i promovimit të lojtarëve, ndaj dhe 90 % e lojtarëve në të gjitha klubet janë lojtarë vendas, e ne rastin kur bëjnë sukses në Europë sigurisht interesimi bëhet shumë i madh.
Pra interesimi i tifozave, i medias, i klubit dhe i Federatës shkojnë paralel, në promovimin dhe zhvillimin e kampionatit me lojtar vendas.


– Temperaturat më të ulëta që mbizotërojnë aktualisht në Islandë, do ndikojnë për Vllazninë?

Jo nuk e besoj që do ndikojnë për keq temperaturat për lojtarët e Vllaznisë. 15 gradë që është aktualisht këtu, është një temperaturë e pëlqyer për të luajtur futboll, por shpresoj të mos jetë një ditë me shi dhe erë, që në të shumtën e rasteve për fat të keq është vera këtu.
Por ajo që do ndikojë negativisht për Vllazninë do jetë fusha ku do luhet, në bar sintetik, ku lojtaret e Valurit janë shumë të favorizuar sepse stërviten dhe luajnë në ambjente të tilla.

– Meqë e njihni deri diku edhe Vllazninë, kush mendoni se ka më shumë shanse për kualifikim?

Të jem i sinqertë që kur jam larguar nuk është se e kam ndjekur Vllazninë sa i përket lojës, përveç asaj që ndjekim nga ju mediat në rrjetet sociale, kjo për faktin e angazhimeve të mia në klubin ku drejtoj.
Por nëse Vllaznia merr rezultat pozitiv këtu (gjë që e shoh shumë të vështirë) mendoj që në ndeshjen e kthimit mundësitë për në kalimin e turit tjetër janë reale.


– Çfarë ka të veçanta Islanda që duan të kenë parasysh shkodranët në vizitën e tyre?

(Hahaha) E veçanta është që duhet të vijnë të fryre nga xhepat, ngaqë është një vend shumë i shtrenjtë.

– Dhe në fund Silva, ju do të jeni në stadium për ta mbështetur Vllazninë mbrëmjen e 11 korrikut?

sigurisht unë dhe një pjesë e komunitetit të shqiptarëve që jetojnë në Islandë, do jemi në mbështetje të Vllaznisë atë ditë dhe shpresojmë shumë të dalim faqebardhë./www.shkodrasport.com/