Prej disa kohësh ka qenë pjesë e Vllaznisë si zëvendës trajner, duke dhënë kontributin e tij për kuqeblutë edhe si drejtues teknik. Fjala është për Vioresin Sinanin që në këtë fund sezoni është larguar nga ekipi i parë i kuqebluve, duke lënë një pozicion të tillë për ish-mesfushorin, Ndriçim Shtubina.

Por golashënuesi më i mirë i historisë së kampionatit shqiptar me 208 gola do vijojë të jetë pjesë e strukturave të ekipeve të Vllaznisë. “Shkodra Sport’ mëson se ish-bomberi në sezonin e ri do jetë trajner i Vllaznisë U-21, një eksperiencë tjetër kjo për Sinanin që pasi më parë ka drejtuar edhe grup moshën u-19 të kuqebluve.

Pak ditë më parë vetë presidenti Xhaferi deklaroi se një opsion për të ardhmen e këtij personazhi shumë të rëndësishëm në historinë e futbollit shkodran, mund të ishte edhe pankina e ekipit U17, por në fund duket se palët janë dakordësuar për të marrë drejtimin e ekipit kampion në fuqi të vendit, atij të 21 vjeçarëve.

Kujtojmë që në karrierën e tij si trajner, Sinani ka qenë drejtues edhe i stolit të kombëtares së femrave për disa kohë. Vendi i lënë vakant nga Elvis Plori në fund të këtij sezoni, ku edhe u shpall kampion me këtë grup moshë do zihet nga Vioresin Sinani. Një nga figurat më të vlerësuara të futbollit në qytetin e Shkodrës.

Patjetër eksperienca si futbollist, por edhe si trajner do shërbejë shumë për djemtë e rinj. Që do kenë më të vërtetë çfarë të mësojnë nga një figurë legjendare siç është ajo e 45-vjeçarit.
Endri ÇINARI