Fjoart Jonuzi është largimi i rradhës nga Vllaznia. Një gjë të tillë e ka pranuar vetë lojtari në një prononcim ekskluziv për gazetën “Shkodra Sport”. Pas tre sezonesh me fanellën kuqeblu, mesfushori është ndarë me klubin, teksa nuk është gjetur një akord për rinovimin e kontratës.
Jonuzi ka qenë një prej titullarëve stabël te kuqeblutë, duke luajtur në kampionatin e fundit në 35-ndeshje, me plot 3010-minuta në fushë. Në sezonin e parë, ai luajti 33-ndeshje, teksa vinte në Shkodër pas eksperiencës një-vjeçare në Kosovë me klubin e Gjilanit.
Ndërkohë, në sezonin e dytë Jonuzi luajti në kampionat në 33-ndeshje, me 2962-minuta në këmbët e tij. 26-vjeçari kuksian është prodhim i skuadrës së Kukësin, me të cilën ka arritur të luajë për katër sezone me rradhë në Superiore.
Jonuzi është largimi i 12-të zyrtar nga Vllaznia pas përfundimit të sezonit, teksa më parë të njëjtën gjë kanë bërë edhe kapiteni Erdenis Gurishta, Herald Marku, Liridon Latifi, Ardit Hoxhaj, Kaina Nunesh, Ante Aralica, Dajan Shehi, Arsid Kruja, Elvedin Heriç, Darko Bulatoviç dhe Bojan Zogoviç.
Tashmë, nga burime të “Shkodra Sport” thuhet se e ardhmja e Jonuzit pritet të jetë tek Tirana, por gjithsesi mbetet për t’u parë dhe zbuluar gjithçka në ditët në vijim.
Maringlen ZHIVANI