Postimi i mbrëmshëm i presidentit Xhaferi që sulmonte arbitrin e ndeshjes gjysmëfinale të Kupës, atë Partizani- Vllaznia, pikërisht Olsid Feratajn duke i bërë thirrje edhe FSHF-së për ta nxjerrë atë jashtë sistemit, nuk ka mbetur me kaq.

NUmri 1 i klubit shkodran në ato pak rreshta postim ishte shprehur njëkohësisht se askush nuk mund të tallet me mundin dhe djersën e Vllaznisë dhe për më tepër me ndjenjat e një qyteti si Shkodra. Për ta vazhduar këtë reagim, mësohet se sot ka patur zhvillime të tjera.

Burime pranë klubit kuqeblu kanë bërë të ditur për “Shkodra Sport” se ditën e sotme ai i është drejtuar me një shkresë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit, ku i ka bërë të ditur edhe njëherë tjetër të gjithë penalizimet e pësuara nga ekipi i parë, por edhe ato të Akademisë.

Po ashtu, i është bërë e ditur drejtuesve të lartë të këtij institucioni se gjithmonë ankesat janë bërë në mënyrë zyrtare dhe me prova të pakontestueshme, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigjen e duhur dhe vijimi i këtyre ndëshkimeve ka sjellë edhe një nervozisëm të dukshëm tek lojtarët, stafet dhe po ashtu edhe tek tifozët.

Klubi Vllaznia në shkresën e tij të rradhës, i ka kujtuar edhe njëherë tjetër disa nga rastet më flagrante të ndëshkimeve të tij nga gabimet e arbitrave, për të përfunduar tek gabimi i djeshëm, në ndeshjen e Kupës ndaj Partizanit, ku shkodranëve iu anullua një gol mëse i rregullt.

Shkodranët mendojnë se kryesori Ferataj dhe arbitri i VAR-it Koçi nuk kanë gabuar nga ana njerëzore, por ata janë të qëllimshme. Për të gjitha këto arsye, KF Vllaznia mësohet se i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit përjashtimin nga drejtimi i ndeshjeve të Superligës. Njëkohësisht mosarbitrimi nga ana e tyre i asnjë ndeshje ku luajnë ekipet e Vllaznisë.

Por “Shkodra Sport” meson se drejtuesit kuqeblu nuk janë mjaftuar me kaq, sepse kanë kërkuar nga institucionet përkatëse të FSHF-së edhe nisjen e një hetimi të thelluar disiplinor për këto dy arbitra, për influencën që mund të kenë patur nga palë të treta për ndikimin në rezultatin e ndeshjes Partizani- Vllaznia./SHKODRA-SPORT.COM/