Drejtuesit e Vllaznisë po vijojnë punën për të përforcuar ekipin në merkato përpara ndeshjeve të Kupave të Europës. Kështu, emri i rradhës që ka dalë në skenë tek kuqeblutë, është ish-mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Valon Ahmedi, i cili nga sa mësojnë burime të “Shkodra Sport” është dëshira e madhe e Vllaznisë në këtë merkato verore, me lojtarin që po lakohet së tepërmi në klub për një transferim të mundshëm në Shkodër.
Momentalisht, Ahmedi nuk ka një kontratë me Soligorsk në Bjellorusi dhe ai mund të jetë goditja “big” e Vllaznisë. Futbollisti është mesfushor i avancuar, që mund të luajë pas sulmuesit kryesor dhe është në moshën 29-vjeçare. Po ashtu, Ahmedi mund të luajë edhe në dy krahët e sulmit. Këtë kampionat me Soligorskin në Bjellorusi, ai ka qenë në fushë në 9-takime, rreth 900-minuta dhe ka dhënë dy asiste.
Vlera e tij në merkato momentalisht është 750-mijë euro, ndërsa më parë ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës. Gjithashtu, shërbimet e Ahmedit i kërkon edhe Tirana. Megjithatë, “Shkodra Sport” mëson se Vllaznia shihet si destinacioni më i mundshëm i tij, edhe për shkak të marrëdhënies së mirë që lojtari ka me Ardit Krymin, me të cilin kanë luajtur së bashku në Bjellorusi.
Palët kanë patur bisedime mes tyre dhe në ditët në vijim pritet të mësohet gjithçka nëse Ahmedi do jetë pjesë e kuqebluve në vazhdim apo jo. Afrimi i tij do të ishte plus i madh për Vllazninë, por mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Valon Ahmedin, nëse do të nisë një aventurë të re në kampionatin shqiptar apo do të vijojë të qëndrojë në futbollin e huaj.
Maringlen ZHIVANI