Vllaznia kërkon të përforcohet sërish me patjetër në mesfushë. Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Shkodra Sport”, se në fokus është edhe një futbollist tjetër i kampionatit kosovar, pas zyrtarizimit të Lorik Boshnjakut.
Më konkretisht, bëhet fjalë për futbollistin e Gjilanit, Albert Dabiqaj, i cili ka shfaqur një nivel të lartë gjatë këtij sezoni, teksa ka edhe eksperiencë të mjaftueshme. Bisedimet janë në fazë fillestare dhe burime të “Shkodra Sport” mësojnë se ai është në fokusin e Vllaznisë, teksa edhe kontaktet nuk kanë munguar gjatë këtyre ditëve.
Dëshira e presidentit Alban Xhaferi ishte të afronte në merkato futbollistë nga tregu ballkanas, teksa një gjë të tillë e deklaroi edhe ai vetë mbrëmjen e kaluar në “Sport Arena” në TV Rozafa dhe deri në këtë pikë, duket se po i qëndron dëshirës së tij.
Baza e skuadrës do të jetë me futbollistë vendës dhe që e njohin mirë Abissnet Superiore. Gjithashtu, në sulm pritet një “bomber”, por deri tani nuk ka pasur asnjë gjë konkrete. Mundësitë më të mëdha janë që sulmi të jetë i huaj, por gjithsesi ka disa mundësi dhe mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.
Maringlen ZHIVANI