Kristijan Vulaj është një nga futbollistët që pritet të largohet nga Vllaznia në merkaton e janarit. Fantazisti shqiptar erdhi me bujë nga Mali i Zi, por hapësirat për të kanë qenë të pakta.
Trajneri Mirel Josa nuk e ka në planet e tij dhe këtë ia ka bërë të ditur edhe drejtuesve dhe presidentit Alban Xhaferi. Tekniku kryeqytetas nuk i ka dhënë hapësira Vulajt dhe nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se shkak për këtë është bërë një përplasje mes tyre.
Kështu, mësohet se Vulaj dhe Josa fillimisht kanë pasur një përplasje të dy në fillim të kampionatit. Përplasja ka qenë e madhe, aq sa trajnerit nuk i ka “dalë inati” për muaj me rradhë.
Në fakt, Vulaj ka bërë prapakthehu dhe ka tentuar të bindë teknikun kryeqytetas për t’i dhënë mundësinë, por kjo nuk ka ndodhur nga Josa, i cili madje nuk e ka aktivizuar në asnjë minutë për 10-ndeshje rradhazi.
Së fundmi, trajneri Josa ka pasur edhe një takim me presidentin Alban Xhaferi, ku u fol për të ardhmen e tij dhe u vendos që ai të vazhdojë në drejtimin e shkodranëve.
Maringlen ZHIVANI