Nga Endri ÇINARI
Merkato e janarit tashmë është e hapur zyrtarisht dhe patjetër që klubet do tentojnë të bëjnë lëvizjet e tyre. Përjashtim nuk bën as Vllaznia, ku tek kuqeblutë së fundmi kanë qarkulluar shumë emra që mund të afrohen. Por ende asnjë lëvizje nuk është bërë zyrtare, ku tek shkodranët po tregohen të kujdesshëm.
Kjo për shkak se eksperienca e viteve të shkuara me merkaton e janarit nuk ka qenë edhe aq pozitive. Lojtarët e afruar gjatë kësaj periudhe merkatoje në klubin shkodran shpesh janë larguar pas 5 muajsh.
Duke mos lënë thuajse aspak gjurmë me performancat e tyre. Kështu për momentin po punohet me kujdes dhe po studiohet se çfarë i mungon skuadrës.
Megjithatë në rradhët e tifozëve pritet një goditje në janar “alla Balaj”. Shtatlarti i sulmit u afrua në mënyrë të bujshme në janarin e vitit 2023 në rradhët e Vllaznisë.
Duke qenë absolutisht një vlerë e shtuar e ekipit, ku tashmë këtë sezon është edhe golashënuesi më i mirë i Superiores me 11 gola të shënuar pas gjysmës së parë të sezonit.
Kështu këto ditë pritet të prodhojnë një surprizë tjetër në merkaton shkodrane. Ku pas largimit të disa futbollistëve, priten afrime të tjera. Kjo për të përforcuar skuadrën që tashmë duket se e ka kaluar periudhën e vështirë. Dhe pretendimet e ekipit patjetër që janë ambicioze në startin e vitit 2024.