Ndërsa Lacio shtyn me forcë që të rifillojë Seria A për të kërkuar fitoren e titullit kampion ndaj Juventusit, duket se pjesa më e madhe nuk e mendojnë si Klaudio Lotito. Edhe drejtori i departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin Superior në Itali, Xhovani Reza, ka bërë të qartë se është kundër kthimit të futbollit.
Pjesëtari i komitetit teknik shkencor të ngritur nga qeveria italiane për luftën kundër koronavirusit, ka insistuar se do të ishte shumë e rrezikshme. “Unë jam romanist, ndaj do e kisha hedhur të gjithë tutje”, tha fillimisht ai duke qeshur, por duke u bërë më pas serioz në trajtimin e një teme kaq delikate.
“Futbolli është një sport kontakti, ndaj ka rreziqe transmetimi. Dikush ka propozuar një monitorim të afërt të lojtarëve, me testime thuajse të përditshme, por mua sinqerisht më duket pak e ekzagjeruar. Pastaj jemi thuajse në maj. Komisioni nuk ka folur ende rreth temës, por nëse do të jepja një mendim, nuk do të ishte pro.
Pastaj do të jetë politika ajo që do të vendosë”, tha Reza. Zyrtarët e Lacios e kundërshtuan menjëherë këtë deklaratë, me zëdhënësin Diakonale që e sulmoi duke thënë që nuk duhej të bënte tifozin por shkencëtarin. Por presidenti i Torinos, Urbano Kairo, e ka mbështetur publikisht.
“Ai është një njeri i shkencës dhe unë kuptoj diçka nga numrat. Në kushtet aktuale është e pamundur që të luhet pas një muaji e gjysmë, fatkeqësisht. Them fatkeqësisht sepse përveç Torinos zotëroj edhe “Gazzetta Dello Sport” e për këtë arsye do të kisha interes të rifillonte gjithçka”, tha Kairo. /vipsport/