Industria e futbollit është ndalur në gjithë botën, por të gjithë kanë filliar prej kohësh të bëjnë plane se si do të rifillojnë të vihen në aktivitet në këtë biznes që do të shërbejë edhe si argëtim për njerëzit e mbyllur në shtëpi.

Thuajse të gjithë e kanë të qartë se kthimi në fushat e lojës do të bëhet në kushte të sigurisë maksimale për shëndetin, me izolim absolut dhe padyshim me shkallarë të boshatisura.

Por për të parë tifozë në stadium, do të duhet shumë kohë, siç parashikojnë disa nga emrat më të shquar të mjekësisë në Gjermani. “Nuk shoh të mbushen stadiume në një të ardhme të afërt. Do të ishte e pakuptimtë. Nuk besoj se do të ndodhë deri rreth kësaj periudhe në vitin e ardhshëm”, parashikoi për “Bild” virologu Kristian Drosten i spitalit të Berlinit. “Mendoj se gjërat e bukura, por jo në mënyrë thelbësore të rëndësishme, do të evitohen për shumë kohë”.

Klubet gjermane janë dakord edhe që të luhet me dyer të mbyllura, për sa kohë që garantojnë paratë e të drejtës televizive që u mundëson të mbijetojnë derisa të përmirësohet situate. Por sipas virologut Jonas Shmid-Çanasit në spitalit të Hamburgut, edhe kjo do të jetë shumë e vështirë të realizohet.

“Edhe ndeshjet pa tifozë mund të shtyjnë njerëzit të takohen përsëri. Ndaj mendoj se vendimi për të rifilluar aktivitetet sportive duhet marrë vetëm në fund. Nuk mendoj se flitet për rikthimin në prill, as me ndeshje pa tifozë, pasi kanë potencialin që të bashkojnë njerëz në shtëpi të ndryshme për t’i ndjekur ato”, paralajmëroi ai. /vipsport.al/