“El Clasico” i 26 tetorit ndërmjet Barcelonës dhe Real Madrid mbetet ende në ‘ajr’ për shkak të situatës politike në Kataloni, shkruan Gazetasheshi.com.

Federata Spanjolle e Futbollit ka propozuar që “El Clasico” i parë i këtij edicioni të zhvendoset në “Santiago Bernabeu”, ndërkohë që në duelin kthyes ku Real Madrid do të jetë vendas të zhvillohet në “Camp Nou” për shkaqe sigurie.

Por, kjo ide është kundërshtuar menjëherë nga dy klubet, të cilat kanë pranuar që ndeshja të shtyhet, por jo edhe të ndërrohet lokacioni i stadiumit.

Megjithatë, një ide tjetër vjen nga Argjentina, teksa e përditshmja sportive “Ole” ka propozuar që ndeshja të zhvillohet në Buenos Aires.

“Kthim i favorit”, ka shkruar “Ole” duke iu referuar finales së “Copa Libertadores”, e cila u zhvillua edicionin e kaluar në “Santiago Bernabeu” për shkak të sigurisë.

Mbetet për tu parë se cili do të jetë epilogu final i kësaj ‘drame’ dhe se ku do të zhvillohet derbi më i madh në botën e futbollit.