Për ndeshjen e sotme me Vllazninë pritet që trajneri Ivan Gvozdenoviç të mos bëjë shumë ndryshime në krahasim me atë të pak ditëve më parë në kampionat.:
Dilemat e vetme për serbin janë dy sulmuesit e krahut, nëse do të luajnë me Ze Gomesh dhe Loukili, si në barazimin e së premtes apo do të aktivizohen dy lojtarë më të freskët fizikisht, si Lajthia dhe Xhoel.
Pjesa tjetër e formacionit duket e kristalizuar me një mbrojtje me katër, tre mesfushorë dhe tre sulmues. Duket se me këtë skemë ekipi po funksionon më mirë, duke zhvilluar lojëra të mira, prandaj dhe nuk ka gjasa të ndryshojë.
Nga ana tjetër, sërish tekniku do të jetë i privuar nga mungesat e Edon Hasanit dhe Esin Hakajt, të cilët vijojnë të jenë të dëmtuar, ashtu si dhe sulmuesi Arsen Lleshi, që pas operacionit ka humbur sezonin.