Në Elbasan shpresojnë për rikthimin te fitorja e munguar prej javësh si mundësia më e mirë për të dalë nga kriza e rezultateve.

Nuk është e lehtë në fakt, sepse sfida e radhës për verdheblutë luhet në fushën e kampionëve në fuqi të Egnatias. Në një prononcim enkas për “Panorama Sport” ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Elbasanit, Luan Deliu, përpiqet të japë një shpjegim për atë çfarë po ndodh me skuadrën. Sipas tij, kryesorja këtë sezon është që Elbasani të qëndrojnë në kategori dhe rritja të vijë gradualisht.

“Elbasani është një skuadër mesatare dhe e re në Superiore. Në krahasim me kategoritë e tjera, skuadrat në elitë janë shumë më të forta. Nuk mund të bëhesh dot që vitin e parë një pretendent i fortë, është shumë e vështirë. Ekipet e tjera, duke qenë prej vitesh pjesë e Superiores, janë bërë më të fortë dhe këtë natyrë duhet të ketë edhe Elbasani. Marrim një shembull, Dinamon: u rikthye në Superiore pas disa vitesh, ra përsëri, u rikthye dhe tani ka krijuar një ekip më të fortë. Barazimet e shumta tregojnë se ekipi ynë duhet të ketë parasysh dy gjëra. E para, duhet të jemi me çdo kusht pjesë e Superiores edhe vitin tjetër dhe e dyta, duhet të krijojmë një ekip duke u rritur”, u shpreh fillimisht specialisti elbasanas i futbollit.

“Nuk krijojmë dot një pamje të një loje cilësore, sepse nuk ka lojtarë që të jenë superiorë ndaj kundërshtarit në luftën një kundër një. Ne hyjmë tek ekipet më të dobëta të Superiores sa i takon ndërtimit të lojës sulmuese dhe është një e metë e madhe. Këto elementë duhet t’i shohin videoanalistët, sepse e kërkojmë lojën sulmuese pa befasi dhe pa fantazi. Mungojnë korridoret dhe pasimet drejt portës”, u shpreh më tej Luan Deliu.