Klubi i Elbasanit ka një futbollist më shumë në dispozicion për pjesën e mbetur të sezonit, pasi tashmë në radhët e verdhebluve është bashkuar edhe 21-vjeçari nga Senegali, Ibrahima Diallo.

Verdheblutë ka disa ditë që kishin arritur marrëveshjen për afrimin e sulmuesit të krahut të majtë i cili erdhi te Elbasani nga radhët e ekipit të vendlindjes së tij, Jaraf. Klubi verdheblu kishte lënë vende bosh në listën e federimeve për të marrë lojtarë edhe pas mbylljes së merkatos.

Diallo ka luajtur më parë në Francë me skuadrën e Valensien, si dhe në Turqi me Gëztepe. Pozicioni natyral është ai i sulmuesit të majtë, por afrikani mund të luajë edhe në krahun tjetër.

Ai ka zbarkuar në vendin tonë që disa ditë më parë dhe që dje është bërë pjesë e verdhebluve pasi ka nënshkruar marrëveshjen me ta, ndërsa sot është prezantuar, pikërisht para ndeshjes me Vllazninë, por ende nuk dihet nëse nesër do të jetë në dispozicion të trajnerit Gvozdenoviç. për ndeshjen e Shkodrës.