Elbasani do të luajë në Superiore sezonin e ardhshëm, teksa në elitë ngjiten si kampionë të Kategorisë së Parë. Ekipi i drejtuar nga Nevil Dede ka nisur punën për përforcimin e skuadrës për sezonin e ri.
Gjithçka do të nisë me konfirmimin e Dedes në stol. Drejtuesit janë të kënaqur nga puna e trajnerit dhe palët prej ditësh kanë arritur një akord mes tyre për rinovimin.
Ditën e sotme në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena” do të mbahet një konferencë, ku Dede do të flasë për qëndrimin e tij në Elbasan dhe objektivat për sezonin e ri. Në këtë mënyrë do të zyrtarizohet në krye të ekipit për sezonin e ri.
Pasi të konfirmohet trajneri, do të nisë edhe merkatoja teksa drejtuesit verdheblu kanë premtuar blerje të rëndësishme sepse duan të ndërtojnë një ekip pretendent për sezonin e ri.