Një prej tre sportistëve të Vllaznisë që kanë marrë pjesë në kampionatin kombëtar të taekondosë të zhvilluar sot në Tiranë, ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion i Shqipërisë. Ai është Elion Puka. Ky i fundit ka konkurruar në peshën deri 87 kg dhe i ka sfiduar të gjithë kundërshtarët e tij duke zënë vendin e parë dhe duke marrë medaljen e arit. Edhe paraqitja e dy sportistëve të tjerë të Vllaznisë ka qenë e mirë. Sportisti Dorad Ulqinaku ka konkurruar në peshën deri 74 kg dhe është renditur i treti duke marrë medaljen e bronztë.
Edhe Besmir Qershija që ka konkurruar në peshën deri 80 kg ka zënë vendin e tretë. Në këtë mënyrë, paraqitja e ekipit të Vllaznisë në këtë kampionat ka qenë vërtetë e mirë duke marrë parasysh kohën e shkurtër prej së cilës ka filluar stërvitja. Puna që po bën trajneri Elion Puka gradualisht po i jep frutet e veta. Rritja e stërvitjes dhe marrja e përvojës nga ana e sportistëve, pritet të rrisë edhe më tepër nivelin e tyre dhe në aktivitetet e ardhshme me shumë siguri që Vllaznia do të përfaqësohet me më shumë sportistë dhe do kërkojë më shumë tituj kampion. Megjithatë suksesi i sotëm i Elion Pukës është për t’u konsideruar një arritje jo e vogël.
wwwshkodrasport.com