Vllaznia në taekwondo ka arritur një tjetër sukses, me shumë medalje individuale në turneun ndërkombëtar të Prishtinës. Trajneri i këtij ekipi, Elion Puka, në një prononcim për “RTSH Shkodra”, u shpreh i kënaqur nga ky sukses, ndërsa theksoi se sportistët e Vllaznisë në taekwondo bënë një paraqitje tepër pozitive.

Sipas Pukës, edhe e ardhmja do të jetë e mirë për këtë ekip, teksa edhe në turnetë e rradhës ai premton për një paraqitje dinjitoze me sportistët e tij të taekwondo.

“Patjetër që, jam i kënaqur nga prezantimi i sportistëve të mi. Ne kishim kohë që po përgatiteshim për këtë turneun ndërkombëtar, ku kishte një rivalitet dhe një masivisim të madh të sportistave. Ishin 6 shtete me rreth 320 sportistë elitarë, ku bënë një paraqitje të mirë të gjithë. Si çdo herë, Vllaznia me objektivat e veta dhe të qarta, arriti përveç përformancës, rezultate shumë të larta.

Sportistja jonë Anselma Xhaji, në kategorinë e para të rejave, arriti përveç titullit kampion, të shpallej sportistja më e mirë e aktivitetit.

Atëherë, e veçanta e këtij turneu, ishte se kishte një ekip shumë të mirë, që kishte ardhur nga Zvicra, ku realisht përballjet më të forta dhe rivalitetin më të lartë e kishim me këtë ekip dhe Vllaznia arriti me 60% fitore ndaj këtij ekipi.

Xhaji është një sportiste me objektiva të qarta. Punon jashtëzakonisht shumë dhe tashmë iu bënë dy vite e gjysëm eksperiencë që ajo po merr frytet e punës së saj.

Sportistët më të dalluar në ekipin tonë, ishin disa sportistë, kryesisht në moshat e reja, sidomos tek fëmijët, ku sportistë si Marashi, Delija, Puka dhe Çeliku, arritën përveç titullin kampion, të bënin një paraqitje dhe një performancë shumë të lartë.

Ne kemi shumë gara që po afrojnë. Për pak, është periudha për të bërë aktivitete të rëndësishme, siç është kampionati europian, që do zhvillohet në Angli, në Mançester. Pastaj, kemi disa turne, këtu në rajon afër, sidomos edhe në Mal të Zi, në Ulqin, ku do të kemi një garë shumë të fortë, me një nivel shumë të lartë, ku Vllaznia shpresoj të bëjë një paraqitje gjithashtu dinjitoze.

Shpresojmë që sërish këtë rradhë nga këto turne, të dalim sërish me medalje. Në ekipin e Vllaznisë në taekwondo, janë disa djem dhe disa vajza të përkushtuar. Punojnë me seriozitet dhe shpresoj që me këto sportistë edhe në arenat ndërkombëtare të shkëlqejmë si gjithmonë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në taekwondo, Elion Puka.

Maringlen ZHIVANI