-Elis, Shkodra ju ka nderuar me titulllin “Mirënjohja e Qytetit”. Çfarë do të thotë kjo për ju?
-Ka qenë një ndër vitet ma të suksesshme të jetës sime dhe u mbyll edhe me titullin “mirënjohja e Qytetit” të Shkodrës dhe ky është një titull shumë i madh për mua. Prandaj dhe dua të falenderoj Bashkinë e Shkodrës për këtë titull por jo vetëm atë. Falenderoj gjithë qytetin e Shkodrës për çdo gjë që më ka dhënë.
-Babai juaj në momentin e marrjes së titullit “Mirënjohja e Qytetit” ka premtuar se çdo medalje që do merrni në Lojërat Olimpike do i dedikohet Shkodrës. Do ndodhë kështu?
-Në qoftë se unë marr medalje në Lojërat Olimpike, them në qoftë se ngaqë sporti është sport dhe asnjëherë nuk i dihet por nëse babai im ka premtuar se medalje do jetë për Shkodrën, këtë po jua premtoj edhe unë: Ajo medalje do jetë vetëm për qytetin e Shkodrës.
-Kemi marrë vesh që keni bërë rolin e “shkuesit” për kalimin e Vajushit tek klubi juaj i Liteksit. E vërtetë kjo?
-Për Vajushin unë thjesht përcolla disa fjalë që Armandoja i meritonte tek klubi im dhe tek presidenti im Grisha Gançev dhe mu ba shumë qejfi që ata treguan një interes shumë të madh kundrejt një sportisti që është edhe shkodran. Normalisht unë nuk do kursej asnjë fjalë të mirë jo vetëm sepse është shkodran por edhe sepse është një sportist shumë i mirë. Më datë 4 janar shpresoj që të mbyllet çdo gjë sa i takon kontratës dhe Vajushi të konkurrojë për Liteksin.
-Elis, cili do jetë urimi juaj për shkodranët në këtë moment të ndërrimit të viteve?
-Urimi im? Do jetë jo vetëm për sportistët por për gjithë shkodranët. Ua uroj që viti 2012 të jetë një vit shumë i mbarë, të kenë shëndet se kjo është kryesorja dhe të jenë shumë tolerant. Shkodranët të jenë më tolerant ndaj njëri-tjetrit dhe dashamirësve të tyre.
-Po urimi për sportistët shkodranë?
-Duhet shumë durim e vullnet sepse asgjë nuk arrihet pa punë. Shpresoj që 2012-a t’ua shpërblejë atyre sportistave që kanë patur vullnetin e duhur dhe të marrin ato rezultate që dëshirojnë të marrin.
Intervistoi: Gjergj KOLA