Në ceremoninë e shpalljes së “Sportistëve më të mirë të klubit shumësportësh Vllaznia për vitin 2011”, është dhënë edhe një çmim tjetër shumë domethënës. Ka qenë Këshilli Bashkiak Shkodër ai që në mbledhjen e tij të fundit ka vendosur t’i akordojë mundësit shkodran Elis Guri, titullin e lartë “Mirënjohja e Qytetit”. Në mungesë të vetë kampionit të botës që jeton në Bullgari dhe konkurron për këtë vend, titullin e ka marrë babai i tij Mjeshtri Eljaz Guri nga duart e kryetarit të Këshillit Bashkiak Shkodër, z. Bardh Lohja. Për mjeshtrin Eljaz Guri ka qenë një kënaqësi shumë e madhe nderimi që i ka bërë Shkodra djalit të tij ndonëse ai konkurron për një shtet tjetër, madje në këtë mbrëmje ai ka premtuar që nëse Elisi merr medalje në Lojërat Olimpike të Londrës, ajo medalje do i dedikohet Shkodrës. Gjesti i këshilltarëve bashkiakë të këtij qyteti duhet vlerësuar patjetër sepse në fund të fundit, Elis Guri është pjesë e këtij qyteti dhe pavarësisht se u detyrua të braktiste flamurin shqiptar, sërish është shqiptar në gjak e zemër. Ai meriton shumë më tepër se Mirënjohja me letra sepse është shkodrani i vetëm që ka dalë kampion bote në gjithë historinë e sportit shkodran dhe në vend që të themi ne që e nderuam Elisin, duhet të themi: “jemi të nderuar që Elisi na nderoi ne!”

www.shkodrasport.com