Pas një jave nga suksesi i tij i jashtëzakonshëm teksa ka arritur të shpallet kampion Bote, shkodrani Elis Guri preferon të “rrëfehet”. Ndonëse pa u ndalur në detaje, ai edhe sot e kësaj dite, është i vetëdijshëm që ka bërë zgjedhjen e duhur për të përfaqësuar Bullgarinë. E thotë këtë me dhimbje megjithatë nuk ka patur mundësi tjetër. Ai kërkonte suksesin dhe për ta arritur atë, duhen kushte dhe mbështetje. Shqipëria nuk ia ofroi asnjërën nga këto, madje e përjashtoi për dy vjet nga të gjithë aktivitetet. Prandaj dhe shkodrani nuk është pishman për zgjedhjen që ka bërë. Madje është krenar që ka arritur t’ia shpërblejë Bullgarisë atë çfarë ka bërë për të. “Ndjehem i lumtur dhe ende edhe sot, ndonëse ka kaluar një javë e më shumë nga finalja e Botërorit, nuk arrij ta imagjinoj se jam më i miri në Botë. Kuptohet kam djersitur shumë për këtë ditë por tashmë çdo sakrificë që më është bërë, është shpërblyer. Po përjetoj momente shumë të lumtura dhe përveç meje, besoj se edhe familja ime ndjehet krenare me mua për këtë arritje”- e fillon rrëfimin e tij për “Shkodrasport.com”, kampioni i botës i peshës 96 kg Elis Guri. Ai ende edhe sot, nuk arrin ta kuptojë pse babai i tij, Eljaz Guri, një emër i madh i mundjes shqiptare, nuk deshi ta linte të birin të merrej me mundje. Megjithatë e ka të qartë se i ati ka dashur të mirën e tij dhe sot është momenti për t’i thënë atij se sakrificat nuk mund të ndalin pasionin e një njeriu për të triumfuar ndaj çdolloj kundërshtari. Duke iu rikthyer suksesit të Turqisë, aty ku u shpall më i miri i botës, Guri vlerëson edhe mënyrën si e kanë pritur në Bullgari këtë sukses duke thënë: “Në Bullgari janë entuziasmuar së tepërmi. Ka një interesim të jashtëzakonshëm dhe kudo ka pritje nga personalitete të larta, dalja të shumta para medias dhe shumë gjëra të tjera. Ata janë të kënaqur edhe për faktin tjetër që nuk i kam zhgënjyer. Kanë patur besim tek unë dhe tani që ua shpërbleva, po më nderojnë në maksimum. Në një situatë të tillë, natyrisht që ndjehem mirë dhe nuk ka sesi të mos e respektoj në maksimum këtë vend që më dhënë shumë gjëra”. Megjithatë Elisi ndjen në vetvete keqardhje që ka çuar flamurin bullgar dhe jo atë shqiptar. Kjo jo për fajin e tij por të njerëzve që drejtojnë sportin, të njerëzve të shtetit që nuk duan t’ia dinë për kampionë si puna e tij. E pranon edhe vetë kur thotë: “Doja me gjithë zemër të dilja kampion për Shqipërinë por me ato kushte që më ofronte vendi im, nuk do ia arrija dot. Kisha ëndërra të mëdha për të dalë kampion bote dhe e kisha të qartë se vendi im nuk mi ofronte. Jo se nuk ishin mundësitë por sepse njerëz të ndryshëm nuk e donin këtë gjë. Prandaj dhe vendosa të ikë dhe ky titull botëror më dha të drejtë. Nëse krerët e shtetit shqiptar duan suksesin e sportistëve të tyre, duan të hedhin më shumë sytë drejt tyre”. mund të ketë patur edhe fjalë të thëna ashtu kot si “tradhëtar” apo ndonjë gjë tjetër, por të gjithë e kanë të qartë se Elis Guri nuk ka ndërruar nënshtetësi. Ka dy pasaporta, shqiptare dhe atë bullgare. Elis Guri nuk ka ndërruar emër por mban atë që ka patur më parë dhe askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë për zgjedhjen e bërë. Nga fund ii kësaj jave apo fillimi i javës tjetër, kampioni do kthehet në vendin e tij. i pyetur se çfarë prêt, indiferentizëm të njerëzve të sportit sërish për të apo një ndryshim kursi të tyre në këtë ardhje tashmë si kampion bote, Guri do t’i përgjigjej: “Do vij pikësëpari për të takuar familjarët, shokët e miqtë e mij. Ata që më kanë qëndruar gjithnjë afër. Se si do më presin njerëzit e sportit, është çështje e tyre. Nuk më intereson shumë kjo gjë”. Ndërkohë kampion bote është bërë tashmë. Ajo çfarë i mbetet pa realizuar është kampion olimpik. Vetë Elisi e ka një dëshirë për të marrë medalje që në Olimpiadën e Londrës vitin e ardhshëm dhe prandaj thotë: “Dëshira ime e madhe ka qenë të dal Kampion bote dhe kësaj ia arrita tashmë. Por kjo nuk do të thotë se nuk do tentoj të dal i pari edhe në Olimpiadë. Vitin e ardhshëm gjithsesi unë do kem objektiv të hyj në zonën e medaljeve në Londër”.

Gjergj KOLA