Elis Legata, trajner i mirënjohur i portierëve në Shkodër ka komentuar së fundmi situatën tek Vllaznia. Sipas drejtuesit edhe te Atletik Klub, ekipi kuqeblu është brenda objektivave sezonalë. Dhe se skuadra duhet përkrahur pasi pavarësisht luhatjeve që ka patur, qëndron në garë për çdo trofe të mundshëm këtë edicion.
Legata tha: “Nuk e shoh situatën aq alarmante tek Vllaznia. Skuadra është shumë afër me kreun dhe nuk duhet kaluar në kritika aq të mëdha. Pavarësisht se ndoshta skuadra mund të ketë pasur luhatjet e veta, por këto ndodhin në kampionat dhe është e pashmangshme.
Shiko Partizanin që para pak javësh ishte 5-6 pikë i shkëputur në krye, e ndërsa sot është 6 pikë pas Tiranës. Po ashtu Laçi e Teuta që ishin për mbijetesë, tashmë duan Europën. E tillë është Superliga dhe Vllaznia duhet përgëzuar sepse po qëndron fort në të dy kompeticionet.
Dhe për momentin është brenda çdo objektivi. Kampionati mund të komplikohet vetëm nëse sot kundër Kukësit nuk arrihet fitorja. Atëherë ndoshta mund të flas ndryshe.
Por kam besimin se Vllaznia ia del me sukses kundër kuksianëve dhe ndeshja e së dielës kundër Tiranës mund të hapë totalisht garën për titullin kampion”.
Endri ÇINARI