“Edhe pse Elis Guri u shpall Kampion Bote për Bullgarinë, Shkodra e Shqipëria është krenare për të sepse ai eshtë lindur në Shkodër dhe është shqiptar”. Këto janë fjalët e para të babait të Elisit, Eljaz Guri i cili jep emocionet e tij pas suksesit të djalit të tij i cili fitoi medaljen e arit në botërorin e mundjes. Ish sportisi i shquar që mbahet mend për renditjen në vendin e gjashtë në Kampionatin Europian të vitit 1973 ndjehet tepër i lumtur për djalin e tij edhe pse ka një brengë teksa do kishte dashur që në këtë rast Elisi të kishte ngritur flamurin shqiptar e jo atë bullgar, por rrethenat erdhën të tilla dhe ai është detyruar të pranojë ftesën bullgare. Ja si shprehet Eljaz Guri:

Si ndjeheni pas suksesit të djalit tuaj ?

Jam babai më i lumtur në botë. Është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Nuk ka më bukur. Të shpallesh Kampion Bote, është një ëndërr për çdo njeri. Nganjëherë nuk më besohet për këtë sukses kaq të madh të Elisit dhe ndjej ftohtësi brenda vetes sime gjatë bisedave me miq e dashamirës që më urojnë pafund për këtë ngjarje të madhe edhe për shqiptarët.

Ka patur edhe kritika duke qenë se Elisi la Shqipërinë për Bullgarinë?

Është pyetje me vend. Në fakt unë jamë shumë i lumtur për suksesin por edhe unë si prind do të kasha kënaqësi shumë më të madhe nëse Elisi do të kishte ngritur flamurin shqiptar e jo atë bullgar. Në Shqipëri, 90% e politikanëve kanë pasaporta të huaja, ndërkohë që çuditen për Elisin. Që 17 vjeç ka zënë vend të tretë në europianin e të rinjvë, atëherë si atlet. Dua të them që talentin e ka patur që i vogël, por asnjëherë nuk u mbështet. Shqipëria e kishte dhe në vend që ta trajtonte siç duhej e dënoi duke bërë që për dy vite të mos marrë pjesë në asnjë event Ndërkombëtar, gjë e cila e dëmton shumë një sportist. Në Bullgari, Elisin e trajtojnë si hero, edhe pse ai nuk është bullgar por shqiptar. Kjo është diferenca. Në Shqipëri janë pak sportistë cilësor dhe po të dojë shteti shqiptar ka mundësi që t’i mbajë dhe t’i ofrojë kushtet e duhura, por këtu gjërat funksionojnë mbrapsht. Si mundet që Kampionë më të tilla përmasa në një shtet demokratik të paguhen me rroga qesharake e pa asnjë kusht të përshtatshëm. Elisi nuk ka patur aspak dëshirë të largohej, por e kanë detyruar që ta marrë një vendim të tillë që edhe për mua dhe gjithë Shkodrën e Shqipërinë nuk ka qenë i lehtë, por kur shteti jot s’të do atëherë s’kemi çtë bëjmë.

Para 38 vitesh me 1973, ju arritët rezultatin më të mirë tuajin duke u pozicionuar si i gjashti në Europë. Pengun e jetës tuaj e bën realitet djali juaj që duket se ka trashëguar mjaft mirë traditen e të atit, apo është ndryshe?

Edhe unë kam historinë time. Edhe unë e kam me shtetin shqiptar, port ë asaj kohe. Regjimi totalitar monist nuk më lejoi që të kap majat botërore sepse pot ë dilja në finale, atëherë shorti me vintë përballë më një mundës rus. Shqipëria kishte prishur marrëdhëniet me Shqipërinë dhe mua mu komunikua që duhet ta humb ndeshjen dhe në këtë mënyrë renditem i gjashti duke u kualifkuar, edhe pse mundësitë ishin për më shumë. Gjatë karrierës sime kam fituar të gjitha takimet dhe vetëm një kam humbur. Medalja e arit nga Elisi më ka mbushur plot gëzim dhe më ka larguar disa ato kujtimet e pabukura të vitit 1973.

Keni një mesazh për të gjithë ata që kanë mundësi të financojnë për sportin në mënyrë që talentet mos t’i lënë të largohen nga Shqipëria, sepse rasti i Elisit nuk është i pari dhe nuk është çudi që të kthehet në një fenomen problematik?

I bëj thirrje shtetit shqiptar dhe gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë që ta ndihmojnë sportin. Sportistët cilësor mos t’i lënë pas dore, sepse duan apo s’duan ata janë krenaria e Kombit Shqiptar. Janë ata që na nderojnë kudo në arenën Ndërkobëtare. Të valëvitet flamuri shqiptar në podiumet e mëdha sportive të botës, nuk është pak. Ndaj politika duhet ta shuaj mentalitetin e deritanishëm dhe të mbështesë këto sportistë të cilët bëjnë jashtëzakonisht shumë për vendin e tyre. Nuk i kushton asgjë Qeverisë që të sigurojë të ardhura për një numër jo shumë të madh sportistësh cilësor të rangut të lartë botëror. Gjithashtu një ndërhyrje urgjente duhet bërë në infrastrukturë. Nuk kemi palestra. Në Shkodër është një palestër e vogël me kushte skandaloze në të cilën është stërvitur edhe Elisi. Kemi bërë disa herë apel, por kanë shkuar në vesh të shurdhër fjalët tona. Duhet të investojmë në sport sepse kemi talente të mrekullueshëm që mund të na nderojnë kudo në botë.

Një merak të fundit?

Po. Të gjithë duhet ta dinë se Elisi ka zemër shqiptari edhe pse garon për Bullgarinë. Në Turqi, ku u zhvillua botërori, në sallën ku u zhvillua takimi final, të pranishëm kanë qenë një numër i konsiderueshëm tifozësh shqiptar. Ai i ka përshëndetur të gjithë dhe është ndjerë i tepër i lumtur për praninë e bashkombasve të tij. Dua të them që nuk është e vërtetë se nuk ka folur shqip apo të tilla thashetheme dashakeqëse që përhapen. Të gjithë duhet ta dinë se Elisi qëndron me orë të tëra më shqiptar, bisedon me ta, ndan kohën e lirë dhe madje ekipit Kombëtar të Bullgarisë ka nisur ti mësojë gjuhën shqipe.

Senad Nikshiqi